Një detaj i pazbuluar më parë dhe që kaloi në heshtje në publik, por që tashmë ka dalë në dritë, lidhet me gjyqtaren e GJKKO-së, Elsa Ulliri një nga tre gjyqtaret që po shqyrtojnë çështjen “Partizani”, ku i pandehur është Sali Berisha. Elsa Ulliri rezulton të jetë kushurira e parë e deputetes së Partisë Demokratike, Andia Ulliri, e cila ishte edhe kandidate në zgjedhjet e pjesshme në Durrës më 11 maj, kështu raporton një burim për Lexo.al.
Ndërsa një lidhje e tillë nuk përbën automatikisht konflikt interesi ligjor, ajo ngre një pyetje të rëndësishme: Pse Sali Berisha, që historikisht është treguar i zëshëm dhe shpesh agresiv ndaj gjyqtarëve të çështjeve të tij, në këtë rast, ka zgjedhur heshtjen?
Rasti bën kontrast të thellë me qëndrimin e tij ndaj Marsida Xhaferllarit, ish-gjyqtares që u përfshi në procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2019. Atëherë, Berisha deklaronte publikisht se Xhaferllari duhej të tërhiqej nga procesi për të garantuar integritetin e vendimmarrjes në një çështje ku ai kishte interesa të drejtpërdrejta. Madje, shkoi deri aty sa të kërkonte largimin e saj si kusht për të pranuar vendimin e gjykatës.
Por për Elsa Ullirin, e cila mban një pozicion kyç në një dosje që mund të ketë ndikim historik mbi të ardhmen politike dhe ligjore të Sali Berishës, nuk ka pasur asnjë deklaratë. Asnjë akuzë. Asnjë aludim për lidhje apo ndikim. Thjesht heshtje.
Ky kontekst, me heshtjen e Berishës dhe lidhjen e afërt familjare, nuk mund të kalojë pa ngritur një varg pyetjesh mbi pavarësinë reale të gjykimit, ndikimet e mundshme dhe qëndrimet e dyfishta politike kur përballen me raste të ngjashme./Lexo.al
Gazetar i lajmit Hermes Kafexhiu