Vitet e fundit Shqipëria nuk është më vetëm një destinacion turistik. Një tjetër sektor po pëson rritje duke tërhequr vëmendjen gjithnjë e më shumë të vizitorëve nga e gjithë bota, turizmi mjekësor.

Për pacientët e huaj, shpesh janë rezultatet konkrete të të afërmve që i bindin të udhëtojnë drejt Shqipërisë për shërbime mjekësore. Kështu ndodhi edhe me Mauriozon, 50 vjeç nga Italia i cili prej një jave ndodhet në Tiranë, për të kryer një ndërhyrje dentare.

“Kam zgjedhur Shqipërinë sepse kam parë rezultatin të disa punëve, të bëra nga të afërmit e mi dhe kanë mbetur shumë të kënaqur. Edhe unë kam pasur mundësinë ta konstatoja, dhe Shqipëria ka një avantazh në çmim, i cili është më i ulët se vendet e tjera.

Vajza dhe ish-bashkëshortja ime kanë ardhur, kanë qënduar disa ditë, dhe shërbimi bashkë më cmimet në Shqipëri kanë qenë shumë të mira dhe ato kanë mbetur të kënaqura.”, tha ai për Vizion Plus.

Sipas ekspertëve, çmimet e lira dhe koha e shkurtër e realizimit të trajtimeve bëjnë që shumë të huaj t’i drejtohen vendit tonë për shërbimet dentare dhe ato estetike.

“Shqipëria është kthyer 5-vjeçarin e fundit në një destinacion qoftë edhe turistik por edhe për shërbimin mjekësor dhe atë dentar. Lidhet me disa faktorë, kryesisht me kohën e shkurtër të punimeve të cilët ata mund të përfundojnë në Shqipëri.

Gjithashtu lidhet edhe me çmimet që ne mund të ofrojmë si dhe me sigurinë dhe standardin që ata mund të marrin te ne. Kursimi që pacienti mund të bëjë është edhe gjysëm për gjysëm me çmimet e vendeve përkatëse”, thotë mjekja stomatologe, Drilona Gjura.

“Kanë një kosto shumë më të ulët, 50% më pak se vendet e tjera të BE-së. Numri ka ardhur në rritje nga muaj në muaj, pasi bisedojnë me familjarët e tyre duke bërë që ata të kthehen”, thotë kirurgia Albiona Saliaj.

Të huajt vinë nga çdo vend i botës për turizem mjekësor, por italianët janë ata qe dominojnë.