Në nëntorin e vitit 2023, Skvortsov ishte me një mysafir, kur policia ruse hyri në banesën e tij, në Perm.
Sipas një të afërmi, policia xhiroi atë që ndodhi më pas.
“Ai u rrah dhe u fye”, i tha i afërmi i fotografit projektit Siberia.Realities të Radios Evropa e Lirë. “Më pas, ata e detyruan atë të thoshte para kamerës se kujt i kishte dërguar informata nga libri i Yurkovit”.
I afërmi, i cili kërkoi të mos i bëhet publik identiteti, tha se komunikimi ndërmjet amerikanit dhe Skvortsovit kishte ndodhur muaj më herët, dhe se policia ishte dashur t’ia kujtonte atij identitetin e amerikanit. “Ata ia thanë atij emrin vetë, ata ‘ia sugjeruan’ atë atij”, pohoi ai.
Që prej pushtimit të Ukrainës më 2022, Rusia ka zgjeruar në mënyrë drastike përkufizimin e “sekretit shtetëror”.
Asnjë shumë parash nuk u shkëmbye gjatë ndërveprimit të Skvortsovit me amerikanin, dhe miqtë thonë se dokumentet u dërguan për t’i ndihmuar një personi me interesa të ngjashme – praktikë e zakonshme mes eksploruesve urbanë dhe entuziastëve të historisë. “Ai nuk ndoqi kurrfarë synimi vetjak”, tha një mik i tij për Siberia.Realities të REL-it.