Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as të dielën e 13 korrikut, dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.

Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë.

Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit – kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, mirëpo situata nuk ka ndryshuar.

Ajo e ka përmendur edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi./ REL