Nga Ben Andoni/

Për Tiranën zyrtare Kosova është thjesht një shtet i dytë shqiptarësh, të cilit jo nuk mund t’i ndërhyhet por as t’i flitet më! Ky është justifikimi, por ky përbën edhe paaftësinë e vërtetë për të bashkëpunuar dhe këshilluar. Rama dhe Kurti nuk puqen në asnjë drejtim prej protagonizmit të lodhshëm respektiv. Historia e mbledhjeve patriotike tashmë është arkivuar, kurse në Tiranën politike pakkush di dhe i intereson se çfarë ndodh në Kosovë. Paradoksalisht, më shumë interesohet Thaçi për Tiranën, sesa Kurti për të.

Në orët e fundit të kësaj fundjave, derisa të mbaroj një nga afatet e vendosura nga Kushtetuesja e Kosovës, marifetet, kulisat dhe bisedimet e fshehta do e nxehin republikën më të re të Evropës. Është gati urdhërues konstituimi i parlamentit të Kosovës, ndërsa publiku kosovar po lodhet në këto ditë jo veç nga papërgjegjshmëria e politikës, por nga një absurd kushtetues që nuk iu gjend zgjidhja prej javësh e muajsh. Më shumë akoma, përplasjet e brendshme në Kosovë mes presidentes dhe ministres në detyrë të Jashtme e bëjnë më paradoksal të gjithë gjendjen. Tashmë si një lloj king makër po trajtohet Fatmir Limaj me fare pak deputetë rreth vetes, historia e të cilit pas kontributit me UÇK-në, është e mbushur me hirnosjen e akuzave. Edhe më keq akoma është problemi që Kosova duhet të ketë parlament për të kaluar projektet, të cilat do e ndihin të marrë pjesën e saj nga Paketa Evropiane.

Ndërkohë Tirana zyrtare është futur në një luftë informaliteti me protagonist të vetëm kryeministrin Rama, kurse kënaqësia të hasësh ndonjë lajm pozitiv i është lënë dëshirës së ndonjë redaktori\e, që ka “mbetur” pa lajme. Larg këtyre, në emër të respektit ndaj institucionit të parlamentit të Kosovës, nuk ka referime, përveç ndonjë citimi te presidentit Begaj që zakonisht nuk thotë asgjë. Më shumë akoma, opozita (e djathtë) që e ndjen veten pranë qeverisë së majtë të Kurtit nuk prononcohet dhe Kosovën e gjithë politika shqiptare e kundron sikur po flitet për një parlament tutje në ndonjë kontinent. Lajmi i orëve të fundit, ku flamuri shqiptar shkelej thjesht ngjalli histerinë e zakonshme, por aspak ndjenjën se Shqipëria me Kosovën janë gjithnjë e më indiferente me njëra-tjetrën. Thjesht ky episod do harrohet, ashtu si 52 seancat për konstituimin maratonik të një legjislature parlamenti që më shumë do jetë “interesant” në procedurën e zgjidhjes së kryetarit sesa kur të zhvillojë punimet e zakonshme. Legjislatura e kaluar e tregoi këtë. I vetëm Thaçi, i privuar nga lajmet, duket se ka treguar interes shumë më tepër se ish-kolegët e tij Osmani&Kurti që nuk kanë begenisur as ta vizitojnë ndonjëherë në Hagë…prej punëve të shumta, që mund të quhen mirëfilli kotësi. (Javanews)