Janë hapur aplikimet për “Paketën e Maleve”, një nismë e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe zhvillimin ekonomik në zonat malore, kryesisht në veri të vendit. Të gjithë qytetarët e interesuar për të investuar në tokën e tyre mund të aplikojnë online nëpërmjet portalit zyrtar: paketaemaleve.gov.al, ku do të gjejnë të gjithë informacionin dhe procedurat që duhet të ndjekin.
Për 500 aplikuesit e parë, paketa parashikon lehtësira fiskale për një periudhë prej 10 vitesh, përfshirë:
Përjashtim nga TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar)
Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat
Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme
Përjashtim nga taksa e infrastrukturës
Qëllimi i Paketës së Maleve është të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e zonave të thella malore, të sjellë investime të reja, të rrisë të ardhurat lokale dhe të ndihmojë në frenimin e emigracionit.
Një nga sfidat kryesore në këto zona është mungesa e certifikatave të pronësisë, e cila e vështirëson dhënien e lejeve për zhvillim apo ndërtim. Shumë toka në veri (por edhe në jug) administrohen nga individë apo familje që i zotërojnë tokat pa dokumentacion të rregullt.
Për këtë arsye, Paketa e Maleve parashikon një procedurë të thjeshtuar administrative: poseduesit jopronarë mund të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të kryer nga bashkia. Pasi të përfundojë ky proces, ata mund të marrin pronësinë me çmim simbolik (1 euro), me kushtin që të kenë një plan zhvillimi dhe të marrin lejen përkatëse.
Kjo nismë synon të kthejë zonat malore në zona atraktive për zhvillim, duke kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike, rritjen e investimeve dhe përmirësimin e jetës së banorëve vendas.