Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk e ka diskutuar me kryeministrin britanik Keir Starmer planin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetësinë palestineze.

Duke folur për gazetarët ndërsa kthehej në Uashington pas një vizite në Skoci, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara “nuk janë në atë kamp”. Ai shtoi se qëndrimi i Starmer është i ngjashëm me atë të presidentit francez Emmanuel Macron.

“Ai në thelb po thotë të njëjtën gjë si Macron, dhe kjo është në rregull. Kjo nuk do të thotë se unë duhet të bie dakord,” u shpreh Trump.

Komentet e tij vijnë në një moment kur disa vende evropiane kanë rritur mbështetjen për njohjen e Palestinës si shtet, ndërsa Uashingtoni ka ruajtur një linjë më të kujdesshme.