Analistja Magbule Shkodra në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, foli për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri në Kosovë, duket se kanë dalë në dritë edhe pakënaqësitë në pah. Liburn Aliu i cili ishte ministër Infrastrukturës , Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, ka dhënë dorëheqje sot nga detyra.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pasi Dimal Basha, është zgjedhur dje si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Analistja Shkodra tha se ka pasur shumë pakënaqësi në Vetëvendosje.

“Ka shumë pakënaqësi të grumbulluara. Liburn Aliu ka qenë prej ditëve të para të themelimit të Vetëvendosjes, krah Albin Kurtit. Pakënaqësitë e tij janë shumë më herët…Zgjedhja e Dimal Bashës u bë shkak për ta lëshuar pozitën. Por ende nuk e kemi të qartë nëse ka dhënë dorëheqje nga partia, sepse e dimë që është dorëhequr nga posti që mban. Zakonisht liderët që shohin kundërshtarë afër vetes i largojnë. Ndërsa ata që janë burrështetas i mbajnë edhe kritikët afër. Ndërsa për Kurtin është më e lehtë që t’i mënjanojë dhe më pas t’i largojë. Ky është edhe fati i Liburn Aliut. Ne e dimë që ka pasur pakënaqësi. Pra kjo është një mënyrë e keqe se si zhvillohet politika këtu në Kosovë”, tha ajo.

Më tej nënvizoi se kushdo që po bëhet më i vlefshëm në politikë, shihet që më parë do ta detyrojnë që ta japë dorëheqjen.

“Këta e injorojnë deri në atë masë që të dorëhiqet. Zgjedhja e Dimal Bashës ka shkaktuar pakënaqësitë edhe brenda Vetëvendosjes”, tha ajo.