Në një kohë kur ekranet janë të mbushura me figura të njohura dhe zëra të përsëritur, Kristell Cerriku ka hyrë si një fllad ndryshe e freskët, sarkastike dhe çuditërisht e ndjeshme nën maskën e saj ironike. Emri i saj mund të jetë ende i ri për një pjesë të publikut, por për ndjekësit e platformës Andale.al, Kristell është kthyer tashmë në një emër që nuk harrohet lehtë.

Kristell është një nga personazhet më të spikatur të “GOATS”, një format i krijuar nga Dalina Buzin, producentja dhe autorja që ndër vite është shquar për aftësinë për të zbuluar dhe formësuar personazhe të rinj në media. Dalina, e njohur për vizionin e saj në ndërtimin e figurave televizive me identitet të fortë, ka krijuar me “GOATS” një terren të lirë për zëra të rinj dhe Kristell është një nga diamantët e kësaj platforme.

Por çfarë e bën Kristellin të veçantë?

Ajo nuk të kërkon të të pëlqejë thjesht të bën për vete. Me një mënyrë të të shprehurit që i përket më shumë një brezi të ngopur me hipokrizi dhe formate të sforcuara, ajo komunikon me gjuhën e talljes. Ironia është armatura e saj, ndërsa vetë-ironizimi është mënyra për të thënë: “Unë e di kush jam, dhe jam rehat me këtë.”

Pas figurës së saj prej “mean girl” që nuk kursen batutat thumbuese, fshehet një gocë-gocash, një vajzë me ndjeshmëri të thellë që e përdor humorin si mënyrë mbrojtjeje dhe si mënyrë afrimi. Kur bëhet fjalë për aktrim, është një kameleon i vërtetë. Mund të jetë naive, e zgjuar, e zhdërvjellët dhe e ngathët ndonjëherë të gjitha brenda një minute. Një performuese që nuk ka nevojë për skenar, sepse bota është skena e saj.

Dhe nuk është e vështirë të kuptosh pse publiku e ka pranuar menjëherë. Në një kohë kur autenticiteti është bërë luks, Kristell është origjinale deri në rrënjë. Ajo tallet me veten me një mjeshtëri të rrallë, por mos gaboni – vetëbesimi i saj është më i fortë se ç’duket. Në çdo episod, në çdo moment, ajo di saktësisht çfarë po bën, edhe kur bën sikur nuk di.

Në intervistat dhe daljet e saj, Kristell nuk përpiqet të imponohet. Nuk e ka problem të duket e pambrojtur, as të shfaqë anët e saj të brishta. Ndoshta për këtë arsye, një nga thëniet e saj më të komentuara është:

“Për një gjë jam e sigurt, dua të jem më pak e mbërdhirë.” – Kristell

Ky citim është pothuajse një metaforë për rrugëtimin e saj – nga një vajzë që maskon emocionet me humor, drejt një personazhi që i përqafon ato si pjesë të fuqisë së vet.

Falë Andale.al dhe syrit të hollë të Dalina Buzit për karaktere me potencial të jashtëzakonshëm, Kristell Cerriku është kthyer në një fenomen. Jo thjesht sepse është ndryshe, por sepse është realisht ajo që shumë përpiqen të duken: e guximshme, ironike, dhe mbi të gjitha, e sinqertë.