Nga Flogert Muça/ 

Adriatik Lapaj ka ditur gjithmonë të shfaqet si njeriu i betejave morale, si tribuni i ri që do t’i tregonte Shqipërisë se politika nuk bëhet me pazare.

Por sot, ai gjendet përballë një tabloje ku fjalët e tij duken më shumë si retorikë bosh, dhe lëvizjet politike, një lojë interesi personal.

Pak muaj më parë, Lapaj betohej se nuk do ta mbante mandatin, duke u shfaqur si flamurtar i listave të hapura. Sot, ai është i pari që i braktis ato parime, duke e ndryshuar padinë në Kolegjin Zgjedhor. Nga kërkesa për të respektuar votat parapëlqyese, Lapaj ka kaluar në një kauzë krejt tjetër: të mbetet në fuqi vendimi i kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashit, që mandatin ta marrë Kleana Xhuveli, kushërira e tij, e katërta në listën e mbyllur të Tiranës.

Pra, “parimi” i listave të hapura përfundoi në një “praktikë” të listave familjare. Flamuri që valëvitej për meritokracinë politike, sot është kthyer në mburojë për nepotizëm. Dhe Lapaj nuk ka më turp ta mbrojë publikisht këtë kthesë 180 gradëshe.

Adriatik Lapaj, dikur zëri që denonconte “kënetën e politikës”, sot po noton vetë në të njëjtën llum. Deklarata e tij se i ka ardhur një kërkesë nga Edi Rama për të qenë pjesë e qeverisë është më shumë një tentativë për mbijetesë politike, sesa një fakt real. Sepse askush nuk e beson se kryeministri që ka gjithçka në dorë do t’i lypte Lapajt karrige në kabinet, kur ky i fundit mezi po mban frymën në opozitë.

E vërteta është se Lapaj po kërkon oksigjen në një moment kur ka tradhtuar vetë kauzat e tij. Nga flamurtari i listave të hapura, përfundoi duke ndryshuar padinë në Kolegjin Zgjedhor, që mandati të mbetet te kushërira e tij, Kleana Xhuveli. Pra, nga ideali i “popullit vendos”, tek praktika e “familja trashëgon”, rrëshqitja është e qartë. Dhe për ta justifikuar këtë kthesë, i duhej një alibi: “më kërkoi Rama të futem në qeveri”.

Në fakt, kjo është strategjia e fundit e Lapajt për të mbijetuar politikisht: të shitet si njeriu që refuzon pushtetin, kur në të vërtetë po i lutet pushtetit që ta shpëtojë. Duke e paraqitur veten si “i kërkuari” i Ramës, ai kërkon të mbulojë faktin që nuk i beson më askush. Por ironia e madhe është se sa më shumë mundohet të duket i fortë e i pakapur, aq më shumë zbulon dobësinë e tij politike./Lexo.al