Zbulo plazhet më të bukura të Shqipërisë, ku të presin rëra e pastër, ujëra kristal dhe një bregdet plot hijeshi. Shqipëria po përjeton një moment të rëndësishëm dhe ne jemi këtu për ta ndarë me ju. Riviera shqiptare është e mbushur me plazhe magjepsëse që ofrojnë një përvojë luksi me çmime të përballueshme. Gjej parajsën tënde buzë detit me udhëzuesin tonë të plazheve më të bukura të Shqipërisë, për një pushim buzë detit vetëm pak orë larg Italisë.

Pse të zgjedhësh Shqipërinë për pushimet e tua verore?

Bukuri e paprekur dhe aventura në Adriatik

Udhëto drejt kësaj perle të bregdetit Adriatik e Jon, për të admiruar plazhe të mrekullueshme, për të zbuluar historinë e pasur ende pak të njohur dhe për të shijuar shijen e një kuzhine të mrekullueshme. Eksploro rrënoja antike, qytete plot gjallëri dhe peizazhe malore mbresëlënëse, përpara se të shtrihesh në një plazh të paprekur.

Më poshtë gjenden disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë, për një pushim mes bukurisë dhe relaksit.

Tetë plazhet më të mira të Shqipërisë

Qoftë në rivierën shqiptare apo në veri të vendit, bregdeti i Shqipërisë ofron një larmi plazhesh për çdo shije. Në Sarandë dhe Shëngjin do të gjesh beach club-e plot gjallëri, bare dhe muzikë ritmike; në Gjipe do të përjetosh qetësi e izolim mes natyrës; ndërsa në Velipojë do të gjesh ujëra të përshtatshme për familje. Zbulo perla të fshehura, eksploro shkëmbinj spektakolarë dhe shijo diellin e Mesdheut në këto plazhe të mrekullueshme të Shqipërisë, në disa nga destinacionet më të bukura bregdetare të vendit. Lexim të këndshëm dhe pushime të mbara!

1. Saranda

Plazhi më i njohur turistik në Shqipëri

Qyteti bregdetar i Sarandës konsiderohet si kryeqyteti jozyrtar i rivierës shqiptare dhe një nga destinacionet më të mira turistike të vendit. Ai ofron një gamë të gjerë plazhesh dhe më i famshmi është plazhi kryesor i qytetit. Bulevardi buzë detit është plot gjallëri dhe të dhuron një kombinim të përkryer mes relaksit dhe argëtimit. Ujërat kristal të Sarandës janë pikërisht ashtu siç i ke parë në rrjetet sociale. Përveç notit dhe banjove të diellit, mund të provosh sporte ujore ose të ulesh në ndonjë prej bareve të shumta pranë plazhit, gjithmonë të mbushura me vizitorë.

2. Ksamil

Perla e Jonit

Ky plazh i mrekullueshëm dhe magjepsës është një nga destinacionet kryesore bregdetare të Shqipërisë. Arsyeja kryesore për ta vizituar është pozicioni i tij i jashtëzakonshëm – një gji piktoresk me tre ishuj të vegjël, të cilët mund t’i arrish me varkë ose edhe me not, nëse je në formë të mirë. Pasi të mbërrish, mbetet për të shijuar diellin dhe për t’u freskuar në ujërat mahnitës me nuancë smeraldi dhe turkezi. Mbaj mend se gushti është muaji më i ngarkuar me pushues, ndërsa stina e pranverës dhe vjeshtës është periudha ideale për të shijuar qetësinë dhe bukurinë e Ksamilit.

Spille

Në jug të qytetit portual të Durrësit, shtrihet një hapësirë e gjerë me rërë, plot 8 kilometra e gjatë. Në pjesën e plazhit më pranë qendrës së fshatit Spille, mund të marrësh me qira shezlongë dhe çadra. Nëse zgjedh të largohesh pak më tej, turma bëhet më e rrallë, por gjatë rrugës do të gjesh gjithsesi plot restorante dhe bare ku mund të ndalesh e të shijosh ushqim apo pije freskuese.

Velipojë

E përshtatshme për familje

Plazhi më verior i Shqipërisë, pranë kufirit me Malin e Zi, ofron rërë të artë, perfekte për fëmijët e vegjël, si dhe një sërë shërbimesh për pushuesit. Shezlongët dhe çadrat janë të disponueshme me pagesë, por gjatë sezonit të lartë zona mund të bëhet e tejmbushur. Nëse kërkon më shumë qetësi, mjafton një shëtitje pesë minuta larg nga qendra e zhurmshme e argëtimit. Rekomandohet të marrësh me vete një çadër plazhi, pasi hije natyrale ka shumë pak.

Shëngjin

Plot argëtim

Ky plazh i mrekullueshëm ndodhet në bregdetin e njohur verior të Shqipërisë. Shtrihet për rreth 3 kilometra, me hotele nga njëra anë dhe ujëra blu të kristaltë nga ana tjetër. Rëra e artë dhe e imët zbret butësisht drejt detit të cekët e me valë të lehta, duke e bërë këtë vend ideal për familjet. Pushuesit mund të gjejnë të gjitha shërbimet e nevojshme për një ditë të plotë në plazh – nga sportet ujore e deri te shezlongët, të shoqëruara me një atmosferë festive. Koha më e përshtatshme për të shmangur turmat është periudha nga fundi i majit deri në fillim të qershorit.

Gjipe

Bukuri natyrore dhe qetësi

E rrethuar nga malet, plazhi i Gjipesë është një vend paqeje dhe qetësie, perfekt për ata që kërkojnë një shije më të egër të natyrës përgjatë bregdetit shqiptar. Për të mbërritur në plazh nga rruga kryesore, të pret një shteg rreth 30-minutësh nëpër një peizazh mahnitës natyror. Gjatë ecjes, do të mund të admirosh pamje magjepsëse të plazhit, që e shtojnë edhe më shumë emocionin përpara se të mbërrish buzë detit.

7. Dhërmi

Vendi ideal për verën

Dhërmiu, pranë Drymades, është një nga plazhet më të famshme të Shqipërisë dhe gjithçka lidhet me bukurinë e tij natyrore mahnitëse. Shkel mbi rërën me zhavorr të bardhë, shijo ujërat turkeze dhe admiro peizazhin përreth. Ky është gjithashtu një nga plazhet më të frekuentuara të vendit, ku muzika kumbon fort dhe pushuesit garojnë për një vend pranë bregut. Megjithatë, një shëtitje e shkurtër përgjatë plazhit mjafton për të gjetur këndin tënd të qetësisë dhe parajsës, edhe gjatë muajve të verës.

8. Borsh

I qetë dhe i heshtur

Plazhi më i madh në Shqipëri shtrihet për rreth 7 kilometra me zhavorr të bardhë e të pastër përgjatë rivierës shqiptare. Ujërat turkeze të Jonit shkëlqejnë nën rrezet e diellit, ndërsa sfondi rustik të dhuron pamjen e ullishteve, kodrina të buta dhe dhi që kullosin lirshëm. Pavarësisht bukurisë së tij, ky është një nga plazhet më pak të frekuentuara të zonës. Përtej bregut, atraksionet që ia vlen të vizitosh janë Kalaja e Borshit dhe ujëvarat e bukura aty pranë./SkyScanner.it