Kureshtja e turistëve të huaj për të parë nga afër Shqipërinë e vogël, për të cilën vitet e fundit po dëgjojnë kudo, ka rritur ndjeshëm numrin e atyre që vijnë për ta parë nga afër tokën e shqiponjave.
Madje ka nga ata të cilët rikthehen. Nëpër plazhe përgjatë gjithë vijës bregdetare, por edhe në pikat turistike malore apo qytete historike, gjen kudo turistë që flasin gjuhë të ndryshme të botës.
Statistikat e bëra publike nga Agjencia për Media dhe Informim tregojnë se vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti rezultojnë të kenë hyrë rreth 38 mijë shtetas më shumë krahasuar me muajin korrik të një viti më parë.
Gjatë këtij muaji janë regjistruar 1.825.490 shtetas të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, ndërkohë që ka pasur 1.793.493 dalje shtetas të huaj po gjatë korrikut.
Ndërsa shtetas shqiptarë kanë hyrë 837 mijë persona dhe 782 mijë shqiptarë kanë dalë jashtë Shqipërisë. Në total, në Shqipëri vetëm në muajin korrik, të huaj dhe shtetas shqiptarë, kanë hyrë afërsisht 2.663.010 persona.
Ndërsa në të njëjtin muaj një vit më parë, shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë hyrë gjithsej 2.624.207 persona, çka reflekton një diferencë të dukshme të turistëve që kanë ardhur. Por statistikat e gushtit duken të jenë edhe më optimiste.
Ky muaj ka nisur me fluks të shtuar si në aeroportin e Tiranës, në Portin e Durrësit dhe Vlorës, por edhe në pikat kufitare turistike, ku përveç të huajve është muaji i kthimit të emigrantëve të cilët zgjedhin të pushojnë në vendin e tyre.