Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e së dielës në qytetin e Gjilanit, ku pas të shtënave me armë zjarri kanë humbur jetën tre persona.

Mefail Shkodra është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se është autori i vrasjes së trefishtë.

Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Burime brenda policisë bëjnë me dije se pas dy personave që humbën jetën në vendin e ngjarjes, një nga personat e tjetë të plagosur ka humbur jetën në spital, duke e çuar në tre numrin e viktimave.

Në spital ndodhen edhe persona të tjerë të plagosur dhe të lënduar.

Ngjarja e sotme nuk është hera e parë që Shkodra përballet me ligjin. Në vitin 2024 ai u arrestua gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

Shkodra është bërë i njohur edhe përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar fotografi me vetura luksoze dhe është parë pranë figurave të larta politike, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Policia po vazhdon operacionin për kapjen e të dyshuarit, ndërsa qytetarët e Gjilanit janë tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.