“Nuk është burrëri t’i heqësh një qime luanit të lidhur me zinxhir për qafe”, ka shkruar kohë më parë Sami Frashëri. M’u duk shprehje e qëlluar për ta përdorur për nisjen e këtij opinioni mbi çka ngjan këto ditë në gjyqin e Hagës. E tillë “burrërie” vihet re në mes të kundërshtarëve të Thaçit e tre shokëve të tij, që ndodhen në bangon e të akuzuarve! Janë individë, por dhe grupe, edhe shtresa të popullatës shqiptare në zona të veçanta të Republikës së Kosovës, që e shprehin haptazi armiqësinë. Prej tyre pati edhe dëshmitarë në Hagë.

Një numër jo i pakët prej tyre kanë qenë të ingranuar me punë, poste e mirëqenje në sistemin jugosllav. E kanë dashur Jugosllavinë, i shërbyen me devotshmëri Serbisë dhe e urryen e vazhdojnë t’i urrejnë ata që morën armët për liri, duke u rrënuar kështu privilegjet që patën! Pas futjes së NATO-s në Kosovë, disa nga ata u vranë nga popullata shqiptare. Këta, që janë duke u gjykuar, ky grup, sa shkruam më lart, i duan në mos të vdekur, të izoluar në burg!

Të tjerë kundërshtarë shfaqen nga formacionet e partive politike, kryesisht të Vetvendosjes. Nuk kanë patur mirëkuptim nga koha kur ishin opozitë dhe për shumë nga çështjet kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, që i kemi parë të shpërthejnë jo pak herë dhunshëm në Parlament. Thaçin me shokë i shohin si kërcënim për pushtetin e tyre. I duan në burg!

Një pakicë, me gjasa e kufizuar, por që ekziston dhe është shumë aktive, i don në burg për shkak të gabimeve që kanë rezultuar gjatë qeverisjes, prej të cilave ata kanë vuajtur, sipas tyre padrejtësisht, ose janë dëmtuar ekonomikisht!

Dëshmitari i tretë në procesin gjyqësor në Hagë, ish-ambasadori britanik, John Stewart Duncan, dëshmoi pafajësinë të katër të akuzuarve. E bëri këtë fare thjeshtë: Ajo që është e rëndësishme nga deklarimet para trupit gjykues, është bindja e tij se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një strukturë të qartë komandimi gjatë periudhës së luftës. Për asnjërin prej tyre nuk është provuar deri tani akuza si të përfshirë në urdhër-dhënje për vrasje!?

Sapo kjo deklaratë u shpërnda në mediat sociale, treshja kundërshtare më sipër, duke qenë të orientuar disa nga mllefi e të tjerë nga ligësia, nuk ja përtuan të thonë se dëmshmitarët duhet të jenë paguar nga Thaçi!?

Një gjykatë e paanshme, që e di se arsyeja pse NATO vendosi të ndërhynte për t’i dhënë fund shtypjes së popullit shqiptar, ishin vrasjet masive e krimet e përbindëshme. Gjykata ka dieni të plotë për krimet e tmerrshme serbe, genocidin e ushtruar kafshërisht ndaj popullatës shqiptare, për të cilat nuk dhanë llogari askërkund? Pas këtyre tre dëshmive, nuk do ishte çudi, madje do ishte e duhura sjellje e vendim për t’i përjashtuar të akuzuarit nga fajësia e vrasjeve.

A ka patur vrasje në Kosovë?

Që t’i jepet një përgjegje e drejtë kësaj pyetjeje, do ishte e nevojshme të sjellim situata të ngjashme e të bëjmë krahasime!?

Pas çlirimit nga pushtimi gjerman, shoqëritë në të gjithë Europën u përballën me pyetjen e vështirë se si t’i sillnin para drejtësisë ata individë që kishin bashkëpunuar me armikun e kohës së luftës? Në shumë vende, dhuna pasoi përpara se të mund të vendoseshin procedura ligjore dhe administrative.

Në Çekosllovaki, para se nga gjyqësori të fillonin procedurat për bashkëpuntorët e nazizmit, nga veprimet e turmës, në një atmosferë kaosi, filluan ndjekjet e egra dhe ndodhën qindra akte individuale hakmarrjeje. Dhuna e turmës, që në fund të fundit ishin thjesht akte kriminale, ishin të motivuara nga hakmarrja.