Bregdeti i Shëngjinit dhe plazhi i “Ranës së Hedhun”, mbeten një nga destinacionet e preferuara për pushuesit vendas, por edhe turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga “Rana e Hedhun”, ku pushues të shumtë të të gjitha grupmoshave shijojnë detin me ujin e pastër, të rinjtë praktikojnë aktivitete sportive në rërë, etj.

“Rana e Hedhun” është një plazh i mbrojtur që ndodhet 2.5 km nga qyteti i Shëngjinit në bashkinë e Lezhës dhe vlerësohet si një gjeomonument i rrallë.

Monumenti i Natyrës, Rana e Hedhun, vendi ku dunat e rërës shkrihen së bashku me detin. Një destinacion unik, me gjatësi 600 m dhe gjerësi 100 m, pozicionuar rrëzë malit të Rencit. Rana e Hedhun njihet edhe për vlerat e saj shkencore gjeomorfologjike, didaktike dhe turistike.

Ky plazh të jep një pamje që nuk e ndesh askund përgjatë bregdetit Adriatik. Aty takohet rëra gri me detin e kaltër, ndërsa nuk mungojnë edhe shkëmbinjtë që zbresin nga mali dhe derdhen në det.