Po qe se duhet të niste një letër pa vulë, Gazmend Bardhi mund t’i niste një letër personale Altin Dumanit ku t’i kërkonte hetimin e Edi Ramës për McGonigal-in.

Por interesante është se Gazmend Bardhi i është drejtuar kreut të SPAK në emër të grupit parlamentar të PD, por pa vulën e grupit Parlamentar. Natyrisht grupit të vjetër, se i riu nuk është konstituar akoma.

Arsyeja është shumë simbolike. Simbolika e parë e letrës pa vulë është se Bardhi ende nuk e meriton vulën e grupit parlamentar. Që ta meritojë duhet të luftojë dhe të japë shembuj sakrifice. Kjo që po bën me McGonigal-in, i llogaritet si një lloj lufte dhe merite dhe do t’i mbahet shënim. Edhe pse i referohet “materialeve të reja” në SHBA, në fakt janë të vjetra dhe pa ndonjë lajm. Sidoqoftë vlejnë për propagandë kur nuk ke çfarë bën.

Problemi është se dërgimi i letrës në SPAK është simbolikë e gabuar.
Pra arsyeja pse Flamuri nuk ja ka vulosur letrën, mund të mos jetë fakti që Bardhi nuk e ka të sigurt kreun e grupit, por fakti që Flamuri nuk do që t’i drejtohet me vulën e PD Altin Dumanit. Kjo ul reputacionin e partisë dhe e bën të besueshëm një prokuror me të cilin janë në gjak si parti e Berishës.

Për këtë shkak, arsyeja e dytë e mungesës së vulës, pra mosnjohja e SPAK, është më e fortë se arsyeja e parë e nevojës që ka Bardhi për të rimarrë vulën e grupit.

E gjithë kjo është një leksion për Gazmend Bardhin dhe gjithë ata që duan të jenë dhe me PD dhe me Dumanin. Duhet të jenë ose me PD ose me Dumanin. Beteja kundër Edi Ramës nuk ka aq shumë rëndësi sa beteja kundër Dumanit, pasi halli kryesor i partisë nuk është ardhja në pushtet por mbrojtja nga drejtësia.

Ndaj Bardhi është i detyruar të shkruajë në një letër pa vulë. Ka leje pa fund të shajë Edi Ramën por jo të bëjë bashkëluftarë në këtë histori dhe Altin Dumanin. Armiqtë e kanë vendin me armiqtë. Kështu që deri në pritje të vulës mbi letrën e tij, ai duhet të reflektojë. Duhet ta meritojë atë, duke mos ngatërruar prioritet në betejën opozitare. Dhe prioritet është lufta me ata që rrezikojnë Berishën, kryesisht njerëzit e drejtësisë.

Rama nuk e rrezikon. Ai e mban si fëmijë “të vetëm” se i duhet/Tema