Vetëm 3-4 ditë pas marrjes së detyrës si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme në qeverinë “Rama 4”, Elisa Spiropali zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare jashtë vendit, duke marrë pjesë në takimet e nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vizita u zhvillua në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por edhe si pjesë e angazhimit për forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.Spiropali, e shkolluar dhe diplomuar në SHBA, ka një karrierë të gjatë në politikë në radhët e Partisë Socialiste, ku ka mbajtur poste të rëndësishme si në ekzekutiv, ashtu edhe në parti.

Përtej angazhimeve të saj politike të brendshme, ajo ka treguar interes të vazhdueshëm për politikën e jashtme, dhe kjo vizitë vjen në një moment kur Shqipëria synon thellimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe integrimin në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030.Gjatë qëndrimit të saj në New York, Ministrja Spiropali zhvilloi një sërë takimesh me figura të rëndësishme të diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare.

Ajo u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me zyrtarë të tjerë si Richard Grenell. Në kuadër të një mëngjesi pune të organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, Spiropali mori pjesë në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, ajo zhvilloi një takim me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cila vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Pjesë e axhendës së saj ishte edhe një intervistë për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ku Spiropali foli për prioritetet kryesore të diplomacisë shqiptare, për procesin e integrimit evropian dhe për rolin e grave në diplomaci.

Vizita e saj u përshëndet dhe u shpërnda në rrjete sociale nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë si dhe nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke nënvizuar rëndësinë që partnerët ndërkombëtarë i kushtojnë bashkëpunimit me vendin tonë.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Spiropali u prit gjithashtu edhe nga një komunitet i fortë dhe i organizuar shqiptarësh atje, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për proceset integruese të vendit dhe rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.Takimi me diasporën shqiptare shërbeu si një moment reflektimi dhe bashkëbisedimi mbi sfidat dhe mundësitë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-se.