Më 11 tetor Shqipëria fitoi 0-1 në Leskovac kundër Serbisë dhe trajneri Dragan Stojkovic dha dorëheqjen nga drejtimi i ekipit të futbollit.

Kombëtarja e Serbisë duket se e ka gjetur trajnerin e ri pas dorëheqjes së Dragan Stojkoviç, me mediat vendase që raportojnë se Veljko Paunoviç është njeriu që do të marrë drejtimin e skuadrës. Palët kanë arritur marrëveshjen përfundimtare dhe zyrtarizimi pritet të ndodhë menjëherë pas përfundimit të kualifikueseve të Botërorit.

Një emër i njohur dhe i suksesshëm, 47-vjeçari Paunoviç është një figurë shumë e respektuar në futbollin serb. Ai shkroi historinë në vitin 2015, kur udhëhoqi Serbinë U-20 drejt titullit kampion bote, një sukses që mbetet një nga arritjet më të mëdha në historinë e këtij vendi. Trajneri ka pasur më pas eksperienca në futbollin ndërkombëtar, duke drejtuar Chicago Fire në MLS dhe Reading në Angli, përpara se të rikthehej në qarkullim si kandidat për stolin e kombëtares.

Zoran Mirkoviç drejton ndeshjet e mbetura.

Në dy ndeshjet e fundit të fazës kualifikuese, Serbinë do ta drejtojë Zoran Mirkoviç, i cili mori përkohësisht drejtimin pas disfatës 0-1 ndaj Shqipërisë në Leskovac, sfidë që solli fundin e ‘epokës Stojkoviç’.

Dorëheqja e ish-trajnerit u pasua nga tensione të brendshme dhe kërkesa për ndryshim, ndërsa ardhja e Paunoviç shihet si një rinovim i natyrshëm, duke pasur parasysh njohjen e tij të thellë me sistemin e të rinjve dhe stilin modern të futbollit.

Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet publik në ditët në vijim, sapo të mbyllen ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues.