Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me protestën e organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UçK që po përballen me drejtësinë në Hagë. Në një deklaratë zyrtare, partia në pushtet në Kosovë shprehet se qëndron në krah të qytetarëve që po protestojnë, ndërsa thekson se qëndrimi i saj ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar”, thuhet në reagim.

VV nënvizon se kjo Gjykatë nuk u krijua si iniciativë e brendshme e Kosovës, por e ka fillesën në Këshillin e Evropës që prej vitit 2008.

“Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.”

Në thelb të deklaratës qëndron mbrojtja e legjitimitetit të luftës së UÇK-së, për të cilën Vetëvendosje thotë se ishte “e drejtë dhe e domosdoshme”, ndërsa i konsideron të pabazuara pretendimet për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal brenda saj.

“Pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.”

Vetëvendosje kërkon reflektim për qëndrimet ndaj themelimit të Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si hipokrizi mbështetjen e sotme ndaj UÇK-së nga ata që dikur ishin promotore të kësaj gjykate.

“Për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj.”

Partia e Albin Kurtit sjell si shembull kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas tyre ka mbështetur drejtpërdrejt themelimin e Gjykatës, madje ka bërë presion politik në Kosovë në këtë drejtim.

“Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.”

Në përfundim, VV u bën thirrje institucioneve të Shqipërisë dhe shteteve partnere që të veprojnë në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e së vërtetës së luftës së Kosovës, duke ngritur zërin në forumet përkatëse.

“Institucionet e Shqipërisë… kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë.”

“Shtetet mike të Kosovës… duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë.”