Dështimi i Albin Kurtit për të formuar qeverinë në Kuvend provoi gënjeshtrat e tij tetëmujore se i ka votat për qeverinë, dhe shpjegon më qartë manovrat e tij të pafundme proceduriale për të qëndruar kryeministër në detyrë për tetë muaj, derisa të vinin zgjedhjet vendore në Kosovë.
Por dështimi i Albin Kurtit dhe zërat që po forcohen për të shkuar në zgjedhje të reja, tregojnë nga ana tjetër dobësinë e opozitës dhe mungesën e vendosmërisë së saj për të formuar qeverinë e shumicës.
Skema e Albin Kurtit për të shtyrë tetë muaj në mënyrë të pamoralshme mandatin e kryeministrit po vazhdon tani me shtyrjen disa muaj të mandatit të tij deri në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, që përsëri nuk do të prodhojnë qeveri. Dhe pas atyre zgjedhjeve do të vijnë zgjedhje të tjera, e kështu pa fund, derisa Albin Kurti të gjunjëzojë Kosovën dhe opozitën.
E gjithë kjo ndodh nga pafuqia e opozitës për t’u bashkuar bashkë me Listën Serbe dhe për të formuar qeverinë para zgjedhjes së presidentit në pranverë, kur pritet të mbahen zgjedhjet e treta në radhë brenda vitit, për shkak të mungesës së shumicës së Kurtit.
Nëse opozita do të shkonte në qeveri në zgjedhjet që mund të provokohen nga zgjedhja e Presidentit, situata do të ishte shumë ndryshe nga ajo që të shkohet në të gjitha zgjedhjet me kryeministër Albin Kurtin, i cili nga shantazhues i shtetit të Kosovës dhe rrënues i autoritetit të tij, po përpiqet të kthehet në viktimë të mungesës së mandateve në Kuvend, a thua se mandatet ja ka borxh historia dhe duhet t’ia japin se ka lindur për kryeministër.
Duke i hapur rrugë destabilitetit të Kosovës që po provokon Albin Kurti, opozita në fakt është e tëra brenda lojës së tij. Albin Kurti thjesht do ta mbajë Kosovën të destabilizuar derisa ta gjunjëzojë. Opozita duhet t’ia heqë këtë lodër nga duart, duke dëshmuar forcë dhe vendosmëri në formimin e një qeverie dhe me Listën Serbe, pasi edhe ata janë pjesë legjitime e shtetit të Kosovës.
Përpjekja për ta kompleksuar opozitën nga ata që flasin natën në telefon me Listën Serbe dhe shtiren ditën si patriotë, është fitore e Albin Kurtit. Përpjekja për ta mbajtur Kosovën në destabilitet politik është fitore e Albin Kurtit. Trendi për të shkuar nga zgjedhjet në zgjedhje me Albin Kurtin kryeministër është fitore e Albin Kurtit.
Opozita ose duhet ta ndërpresë këtë spiral ku po futet Kosova, ose duhet të gjunjëzohet dhe t’i japë votat Albin Kurtit. Kjo teoria që ne nuk i nënshtrohemi Albin Kurtit, por bëjmë çfarë do Albin Kurti, është edhe më keq.
Albin Kurti ndalet duke vepruar njëqind për qind kundër mënyrës si ai mendon dhe vepron. Ai nuk mundet duke u shtirur të sillesh si ai, herë si patriot e herë si viktimë. Opozita duhet të sillet si institucion shtetformues i Kosovës, ashtu siç është, dhe jo si institucion pushtetformues i Kosovës, siç e do Albini.




















