Alasdair Fotheringham – Al Jazeera
Kanë kaluar pesë dekada qëkur përfundoi diktatura e Francisco Franco-s pas vdekjes së tij, por edhe sot disa e idealizojnë regjimin e tij.
Kohët e fundit, në Granada janë gjetur mbetjet mortore të dhjetëra viktimave të diktaturës së Frankos, mes tyre edhe gjyshi i Marina Roldán, Fermin Roldán García. Trupi i tij u identifikua këtë verë, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë prej dekadash. Ai u gjet në një përroskë në fshatin Víznar, vetëm pak kilometra nga Granada.
Fermin Roldán García ishte mes mijëra njerëzve të vrarë gjatë diktaturës frankiste (1939–1975). Ai ishte inspektor tatimor, sindikalist dhe anëtar i Partisë Socialiste, madje kishte kandiduar për parlament në zgjedhjet e shkurtit 1936. Marina, duke kujtuar momentin kur mori lajmin, tregon se mendja i shkoi menjëherë tek i ati, i cili kishte qenë vetëm 10 muajsh kur babai i tij u ekzekutua në moshën 41-vjeçare.
50 vjet nga fundi i diktaturës
Spanja shënoi këtë të enjte 50-vjetorin e përfundimit të diktaturës. Megjithatë, te të rinjtë po vërehet një nostalgji e frikshme për një regjim që nuk e kanë jetuar.
Fotografia e Frankos ende qëndron në hapësira simbolike të organizatave simpatizuese, ndërsa disa të rinj flasin me admirim për diktaturën, të ushqyer nga përmbajtja e rrjeteve sociale. Sipas mësuesve të shkollave të mesme, shumë adoleshentë i marrin narrativat e ekstremit të djathtë nga TikTok, të zhgënjyer nga kushtet e vështira të jetesës sot, si papunësia apo kriza e strehimit.
Një sondazh i CIS tregoi se 20% e të rinjve 18–24 vjeç e konsiderojnë diktaturën “të mirë” ose “shumë të mirë”.
Si po krijohet “mitologjia” e Frankos
Kjo nostalgji ndjek modele të ngjashme në vende të tjera europiane, ku lëvizjet e djathta shesin idenë e një “të kaluare më të thjeshtë”. Në Spanjë, fenomeni amplifikohet nga partia e djathtë ekstreme Vox, e cila nuk e fsheh simpati të hapura për periudhën e Frankos. Deputetët e saj madje kanë deklaruar në parlament se epoka pas Luftës Civile ishte një periudhë “progresi dhe pajtimi”.
Studiuesi Oriol Bartomeus shpjegon se në rrjete sociale ekziston një romantizim i periudhës së Frankos, i cili i tërheq veçanërisht djemtë e rinj, ngaqë iu ofron një narrativë ku “nuk kishte probleme”, nuk kishte feministe dhe nuk kishte emigrantë.
Ndërkohë, Partia Popullore (PP), një parti e qendrës së djathtë, nuk ka bërë kurrë një distancim të plotë historik nga diktatura, çka e ka lejuar një pjesë të “frankizmit sociologjik” të mbijetojë edhe sot.
Përpjekjet për t’u përballur me të shkuarën
Pas kthimit të demokracisë, Spanja për vite me radhë zgjodhi të “shikonte përpara”, duke shmangur hapjen e plagëve të së kaluarës. Vetëm në vitin 2007 filloi procesi zyrtar i njohur si “ligji i kujtesës historike”, që synonte heqjen e simboleve të diktaturës dhe nxitjen e gërmimeve në varret masive.
Sot, në gjithë Spanjën llogariten rreth 6,000 varre të paidentifikuara masive. Disa ndodhen në puse, pyje, kopshte, varreza dhe kodra të largëta. Ekziston frika se, nëse në pushtet rikthehet një qeveri e djathtë radikale, procesi i gërmimeve mund të ndërpritet, siç ndodhi gjatë qeverisë së Mariano Rajoy, kur fondet u shkurtuan në zero.
Arkeologët dhe antropologët forensikë që punojnë në terren e përshkruajnë punën si emocionalisht rraskapitëse, por thellësisht shëruese për familjet. Disa përshkruajnë raste ku edhe njerëz shumë të moshuar, madje me Alzheimer, kanë pasur momente të qarta vetëdijeje sapo iu është dorëzuar kutia me eshtrat e të afërmve të tyre.
Në një nga gjetjet e fundit në Viznar u zbulua edhe trupi i një fëmije 11–14 vjeçar, viktimë e pushkatimeve të vitit 1936.
Për Marina Roldán, gjetja e trupit të gjyshit nuk shënon një mbyllje të plotë, por një ndjenjë qetësie të vonuar, një bindje se edhe i ati, tashmë i ndjerë, “do të ishte i lumtur nëse do ta dinte”.




















