Në gjithë arsyetimet e tij për vrasjen e katër qytetarëve më 21 Janar, Sali Berisha ka pasur dy argumente të shpikura. Argumenti i parë zgjati rreth pesë orë. Ai ishte se vrasjet i kishte bërë Edi Rama me çadra pistoletë, thika me helm, nxjerrë nga nepërkat e Mashkullorës (Nuk di pse e lidh Mashkullorën me helm nepërke) dhe armë të tjera artizanale, pasi asnjë vrasje, sipas tij nuk ishte bërë me armët e Gardës. Këtë e deklaroi në orën 19:30 të datës 21 Janar, dhe ky argument zgjati deri në orën 24:00 kur dolën pamjet se nga ishte qëlluar dhe kush kishte vrarë.
Atëherë, të nesërmen në mëngjes, filloi pistën e re: se vrasjet u bënë për të shmangur grushtin e shtetit të Edi Ramës në bashkëpunim me Presidentin Topi dhe Kryeprokuroren Ina Rama, njëri “horr bulevardi”, tjetra “lavire bulevardi”.
Nuk ka dhënë më asnjë shpjegim tjetër që prej vitit 2011 kur vrau katër vetë.
Për të mos e rënduar me akuza të tjera, duhet t’i sugjerojmë SPAK-ut ta marrë seriozisht argumentin e Berishës dhe, kur të shkojë të hënën tjetër në SPAK, t’i kërkojë ta formulojë si akuzë. Pra, të formulojë një akuzë zyrtare se ka pasur grusht shteti, se në krye të këtij komploti ishte Edi Rama, Presidenti i Republikës, Kryeprokurorja, katër gazetarë dhe të tjerë. Ai ka ngritur edhe komision hetimor për këtë çështje dhe ka “argumente”.
Ose, po të dojë, të çojë dhe akuzën e parë, atë që bëri në orën 19:30, ku fajësoi për vrasjet njerëzit e Edi Ramës në opozitë. Madje Aleksandër Frangaj pati bërë edhe emision special në Opinion për këtë çështje, ku argumentohej se ai burri me çadër kishte vrarë Ziver Veizin dhe pastaj ishte zhdukur.
Tani Berisha të zgjedhë kë të dojë nga pistat e veta: ose të parën, ose të dytën, ose të dyja bashkë, dhe t’i dorëzojë në SPAK si akuzë. Kjo mund ta bëjë më të lehtë procesin. SPAK mund të hetojë Edi Ramën, Bamir Topin, Ina Ramën dhe ne katër gazetarëve të akuzuar si “puçistë” dhe ose të provojë atë që thotë Berisha, ose t’i shtojë Berishës një akuzë tjetër për kallëzim të rremë dhe ta mbyllim këtë histori të alibive të tij.
Me këtë rast kënaqen edhe ata trushpëlarët e tij, që çdo ditë kërcënojnë se do sulmojnë me armë Edi Ramën dhe do marrin pushtetin, dhe sa herë u kujtohet 21 Janari-që nuk ka sulmuar askush me armë-thonë se ishte grusht shteti. Me atë kriter, Sali Berisha ka bërë 50 herë grusht shteti që nga viti 2013 para Kryeministrisë, por nuk i është prekur asnjë qime floku, megjithë nevojën që ka për një dëshmorë.
Prandaj është mirë që të merret seriozisht gënjeshtra e tij dhe ose të kthehet në kallëzim penal, ose të kthehet në akuzë për “pengim hetimi”. Me këtë rast zbardhen edhe vrasjet, edhe “grushti i shtetit” që ekziston vetëm në kokën e Berishës, por jo për kokën e Berishës./Tema




















