Qytetarët e Prishtinës nga e hëna e 24 nëntorit nuk do të ketë më transport publik e as privat për shkak të bllokimit të buxhetit nga Ministria e Financave. Këtë e ka konfirmuar këtë të diele kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama gjatë një konference për media.

Rama theksoi se buxheti është bllokuar për arsye politike teksa tha se shërbimet jetike të kryeqytetit janë në prag të ndërprerjes.

“Prej mbi një vit në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht në përputhje me procedurat ligjore, kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar, buxheti është blloku për çështje kryesisht politike.

35 milionë euro prej të cilave 25 janë të ardhura të Komunës, 10 milionë të grandit qeveritar janë blloku nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën’”, tha Rama.

Ai shtoi se kanë marrë edhe paralajmërime të tjera nga ndërmarrje të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesa. Sipas Ramës, qytetarët janë në rrezik për interesa zgjedhore.

“Sapo kam përfunduar një takim me përfaqësues të transportit urban dhe shoqata së transportuesve të sektorit privat, të cilët më njoftuan, për fat të keq, nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Paralajmërime të njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrje të tjera të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesa, duke cenua shërbimet esenciale të qytetarëve.

Me keqardhje, e them se nuk kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore, buxheti i kryeqytetit u përdor si mjet në zgjedhjet lokale, e dini që kanë përfunduar, qytetarët votuan për zhvillim e jo për bllokim”, shtoi ai.

Rama shtoi se shërbimet të transportit urban janë të papaguara prej muajsh të tërë dhe situata ka arritur deri në pikën e bllokimit të shërbimit për qytetarët. Ai bëri thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe Ministrisë së Financave në detyrë, që të veprojnë në mënyrë profesionale, në pajtim me ligjin.