Në Asamblenë e CDI-së të mbajtur në San Paolo të Brazilit, Sali Berisha u shpall zv.president i këtij unioni, një lajm që deputetët e PD-së e shpërndanë me bujë në rrjetet sociale, duke e prezantuar si “unionin më të madh në botë të partive të djathta”.
Por, çfarë është realisht CDI?
CDI, Centrist Democrat International, është një union partish të qendrës së djathtë me fokus në Amerikën Latine, Afrikë dhe disa vende të Azisë. Shumica e anëtarëve janë parti të vogla. Dhe më e rëndësishmja, në CDI nuk bën pjesë Partia Republikane e SHBA-së, shteti ku Berisha dhe familja e tij janë shpallur non grata. As konservatorët britanikë apo ata kanadezë.
Ndërkohë, IDU është elita e vërtetë e partive të djathta në botë, ku 29 parti të IDU-së janë aktualisht në pushtet.
Zhurma e ngritur në Tiranë, për ta shitur zgjedhjen e Berishës si zv.president në një union që ka plot 17 zëvendëspresidentë, si një “fitore e madhe ndërkombëtare”, bie ndesh me realitetin. PD nuk u ul në tryezë me republikanët amerikanë apo konservatorët britanikë. Madje, as afër, ngase vijon i shpallur “non grata” prej tyre.
Ndërkohë, mbetet e paqartë pse PD vazhdon të trillojë dhe t’i shesë publikut sukseset që nuk i ka, në një kohë kur çdo gjë verifikohet me një kërkim të thjeshtë në internet./ TemA




















