Presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur qëndrimin kritik ndaj mënyrës se si Ukraina ka menaxhuar konfliktin me Rusinë. Sipas tij, Kievi ka humbur një mundësi të artë për të arritur një marrëveshje paqeje në fazat e hershme të luftës.

“Kur isha në zyre dhe fola me ta, u thashë: ‘Ju nuk i keni kartat në dorë.’ Mendoj se ai do të kishte qenë një moment shumë më i mirë për të bërë një marrëveshje,” deklaroi ai, duke sugjeruar se Ukraina mund të kishte shmangur përshkallëzimin e konfliktit nëse do të kishte vepruar më herët. Trump shtoi se vendimi i Ukrainës për të mos negociuar atëherë ka çuar në një situatë shumë më të vështirë sot.

“Por ata, sipas mençurisë së tyre, vendosën të mos e bëjnë. Tani kanë shumë gjëra kundër tyre”, tha ai, duke iu referuar zhvillimeve të luftës, humbjeve territoriale dhe presionit të vazhdueshëm ushtarak me të cilin përballet vendi.
Ndryshe, Trump ka propozuar një plan të paqes që deri më tani vetëm Ukraina e ka pranuar gjersa Moska ka vazhduar ta kontestojë.