Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilën e cilësoi si një reformë strategjike për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë publike dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se projektligji nuk është një ndërhyrje thjesht teknike, por rezultat i një analize të thelluar të problematikave reale në terren dhe i harmonizimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
“”
Sipas ministrit, ndryshimet përafrojnë legjislacionin penal shqiptar me shtatë instrumente kyçe të BE-së, duke forcuar luftën kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, terrorizmit, shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian. Paketa zgjeron juridiksionin penal të Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit dhe rrit efektivitetin e ndjekjes penale për krime të rënda dhe ndërkufitare.




















