Sfida e javës së 16 të Serie A mes Napolit dhe Parmës, por që ishte shtyrë për shkak të Superkupës së Italisë, nuk ka një fitues. Në Maradona Stadium kjo sfidë u mbyll 0-0 me Napolin që regjistroi barazimin e tretë radhazi në kampionat

Conte që ishte në tribunë i skualifikuar vendosi të hedhë në fushën e lojës Lang që nga minuta e parë, ndërkohë që titullar ishte edhe Mazzocchi, ndërsa në krahun tjetër Cuesta te Parma kreu rotacion duke lënë fillimisht në stol Pellegrinon dhe Bernabe, ndërkohë që bëri debutimin e tij portieri Filippo Rinaldi

Napoli e nisi vrullshëm ndeshjen dhe në minutën e 11 gjeti golin me të zakonshmin McTominay, por një pozicion jashtë loje i Mazzocchi në fillim të aksionit solli anulimin e tij. Më pas Rinaldi i mohoi skuadrës kampione të Italisë avantazhin duke ndalur si Buongiornon ashtu edhe Hojlund duke bërë dy pritje vërtet të mira në pjesën e parë.

Në 45 minutat e dyta, Antonio Conte përdori kartat Neres dhe Spinazzola e madje në çastet e fundit aktivizoi edhe Lucca, por askush nuk ishte në gjendje që të gjente golin që do t’i jepte Napolit 3 pikëve dhe kështu ndeshja u mbyll me barazimin 0-0 me Napolin që shkon në 40 pikë po aq sa edhe Milani, që do të luajë këtë të enjte ndeshjen e tij me Como, ndërsa Parma ngjitet në kuotën e 22 pikëve.