Britania e Madhe dhe Franca do të dërgojnë trupa në Ukrainë në rast se arrihet një marrëveshje armëpushimi me Rusinë, ka deklaruar kryeministri britanik Keir Starmer pas bisedimeve të zhvilluara në Paris.
Sipas Starmerit, një deklaratë qëllimi e nënshkruar sot në kryeqytetin francez “hap rrugën për krijimin e një kuadri ligjor, sipas të cilit forcat britanike, franceze dhe partnere mund të veprojnë në territorin ukrainas”. Ai shtoi se Londra dhe Parisi planifikojnë gjithashtu ngritjen e qendrave ushtarake në Ukrainë, në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Deklaratat u bënë pas takimit të udhëheqësve të të ashtuquajturit Koalicion i të Vullnetshmëve, të cilët u mblodhën në Paris për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën në një skenar armëpushimi. Takimi u përqendrua në rolin që vendet perëndimore mund të luajnë për të garantuar stabilitetin dhe zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.




















