E mërkura e 18 shkurtit, sikur e dielja e 17 shkurtit e vitit 2008, unifikoi të gjithë. Para 18 vitesh ishte për festë, këtë vit për një seancë që shënoi përmbylljen e një beteje me drejtësinë. Glauk Konjufca i ulur me vëllanë e Hashim Thaçit në krahun e djathtë, djalin e Jakup Krasniqit kapur, vëllezërit e Rexhep Selimit në të majtë, e bashkëshortja e djali i Kadri Veseli aty afër. Të gjithë sy e vesh drejt fjalëve të atyre që në shkurtin e 2008-ës, gjendeshin në rrethana krejt të tjera. Ashtu si unë, që si 11-vjeçar e shijoja pavarësinë e festën në shesh, e tash duke raportuar për procesin e krerëve të UÇK-së.

***

Nuk preferoj shumë të shkruaj në vetën e parë. Madje, ata që më njohin, e dinë që edhe opinioneve u shmangem. Nuk mendoj se si gazetar duhet të komentojë atë që raportoj. Por, temë tjetër kjo. Për të gjitha rastet ka përjashtime. Në gati 10 vjet përvojë në gazetari, kjo është hera e tretë që po shkruaj duke përfshirë veten në tekst. E para ishte në prillin e vitit 2024, e dyta ishte të hënën, dhe e treta sot. Të gjitha rastet, me një të përbashkët, Hagën.

I ulur në karrigen e fundit të autobusit, rrugës nga Haga për në Dusseldorf, po e përmbledhja fillimisht në mendjen time raportimin gati 6-vjeçar të Gjykatës Speciale. Prej arrestimit të Salih Mustafës, e deri te seanca e sotme në Hagë, ku u përmbyll procesi në rastin e krerëve të UÇK-së. Ftohti i ditës së sotme në kryeqytetin e drejtësisë, duket se do të ngrohej nga thirrjet për drejtësi. Nga vendi ku ish-krerët e UÇK-së kanë hyrë e kanë dalur shpesh përgjatë këtyre viteve, sot kishin marrë rrugë të gjithë familjarët e tyre. Të bindur për një vendim të drejtë, disa pranonin të flisnin para mediave, e disa jo. Ajo që i përbashkonte, ishte fundi i një procesi, për të cilin dikur Prokuroria thoshte se do të zgjaste 2 vjet. U bënë gati 6!

Veturat që bartnin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, u futën me herët në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në afërsi, pjesëtarët e sigurisë vendosën rrethojat në mënyrë që radha e gjatë e njerëzve për të hyrë në Gjykatë, të shkonte më shpejtë. Mbyllja e rastit më të madh kishte zgjuar edhe vëmendjen e një gazetari holandez. Gjatë diskutimit me të, ai u habit kur pa pamjet e mbi 100 mijë qytetarëve që një ditë më parë, kishin protestuar në Prishtinë. Pyeste pse ka dilema për Gjykatën Speciale, në fakt i interesonte gjithçka, por pjesa tjetër e bisedës, më mirë të mbetet private.

Biseda me të më kujtoi bashkëbisedimin me një të moshuar holandez, që kureshtar nga prezenca e mediave para një viti më pyeste se çka po ndodh. Ishte mirë në dijeni me historinë e Kosovës, ndaj edhe arrestimi i disa udhëheqësve të UÇK-së për të ishte e çuditshme. “Por, a nuk ishte Serbia ajo që kishte kryer shumë krime në krejt ish-Jugosllavinë”, pati pyetur ai. Bashkëbisedim të ngjashëm pata edhe një ditë më parë tek Qendra e Paraburgimit, kur burrë e grua, u interesuan pse ka aq shumë media aty. Kishin më pak informacion, por pas bisedës, edhe ata më pyetën: “A i bie kjo sikur Zelensky të arrestohet pas 25 vitesh?”. Mbase edhe pyetje retorike, që aktualisht po zgjedh të mos i tregoj përgjigjet.

***

Kontrolleve të sigurisë iu nënshtura edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Sikur, gjithë të tjerët. Ai do të bëhej zyrtari i lartë i qeverisë që do ta ndiqte për herën e parë seancën nga galeria për publikun. Përshëndetej me të gjithë familjarët, e shprehte kritikat e tij për akuzat e Prokurorisë, siç i tha edhe një natë më parë në pritjen e ambasadës, e gjithashtu edhe sot para mediave.

E mërkurja e 18 shkurtit, sikur e dielja e 17 shkurtit e vitit 2008, unifikoi të gjithë. Para 18 vitesh ishte për festë, këtë vit për një seancë që shënoi përmbylljen e një beteje me drejtësinë. Glauk Konjufca i ulur me vëllanë e Hashim Thaçit në krahun e djathtë, djalin e Jakup Krasniqit kapur, vëllezërit e Rexhep Selimit në të majtë, e bashkëshortja e djali i Kadri Veseli aty afër. Të gjithë sy e vesh drejt fjalëve të atyre që në shkurtin e 2008-ës, gjendeshin në rrethana krejt të tjera. Ashtu si unë, që si 11-vjeçar e shijoja pavarësinë e festën në shesh, e tash duke raportuar për luftën e UÇK-së.

Me t’u ngritur perdet e bardha, përshëndetja e të gjithë krerëve të UÇK-së me publikun, ishte tejet e ngrohtë. Rexhep Selimi me shqiponjë e me përshëndetje ushtarake, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi me dorën në zemër. Rutina e njëjtë, edhe pas dy pauzave. Të gjithë po i prisnin fjalimet. Fjalët e fundit të katër personave, që gjatë këtyre pesë viteve kanë pasur mundësi të flasin rrallë. Në fakt, të cilët shpresojnë që të mos flasin më për këtë proces, e të shpallen të pafajshëm pas krejt kësaj kohe në paraburgim.

Fjalimet i nisi Hashim Thaçi. Ktheja kokën kah familjarët, dhe shikoja të emocionuar të gjithë. Ngjashëm, edhe miqtë. Disave edhe po u pikonin lotët. Sikur katër ish-krerët e UÇK-së poshtë gjatë fjalimeve, edhe familjarët e të gjithë të pranishmit lart, i shoqëronte veç një fjalë: drejtësi. Të njëjtën, ia thashë edhe atij gazetarit holandez të cilin e kisha afër.

***

Fjalimet përfunduan. Me to, jo edhe emocionet. Të gjithë po shtrëngonin duart me njëri-tjetrin, gjatë daljes nga Gjykata. Rrugët e tyre u ndanë. Sigurisht për t’u bashkuar në vendin e njëjtë pas tre muajsh.

Perdet e bardha…u ulën. Tash le të presim për ‘tymin e bardhë’. Jo për zgjedhjen e Papës, por për katër ish-krerët e UÇK-së, fati i të cilëve tash është në duart e tre gjyqtarëve. Amerikan, gjerman, zviceran. Edhe një irlandez rezervë./Nacionale