Deputeti socialist Arbjan Mazniku, për ndryshimet në reformën territoriale nënvizon nevojën e një analize për sfidat e pushtetit vendor.

Ai tha për “MCN Live” se ka nisur një valë konsultimesh publike në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Sipas tij, është e parakohshme për të diskutuar për kufijtë apo hartat, pasi gjëja e parë që duhet diskutuar janë detyrat dhe kompetencat e bashkive.

“Kemi filluar fazën e parë me ngritjen e komisionit, faza e parë e konsultimeve publike, për të krijuar një valë konsultimesh publike në të gjithë Republikën e Shqipërisë me tre nëngrupe të komisionit, një në qendër, një në jug dhe veri.

Në fazën e parë do mbledhim opinionet e bashkive dhe kryetarëve, për gjërat që kanë funksionuar dhe atyre që kanë nevojë për përmirësim. Nëse bëjmë një analizë të mirë të sfidave që ka pushteti vendor, impakti që do të ketë integrimi në funksionimin e njësive vendore etj. Kemi kërkuar së pari të shkojmë në territor, të flasim me kryetarët e bashkive, kryetarët e qarqeve.

Më pas do të kemi një fazë të dytë, të konsultimeve tematike. Komisioni sërish i ndarë në grupe, do të diskutojë për çështjet sociale, urbanistike etj., me institucionet specifike, për të parë se si do zgjidhet kompentenca dhe si do të ofrohet shërbimi më i mirë. Ashtu si opozita edhe ne duam që të dalim me një draft.

Deri tani kemi rënë dakord me opozitën për të rënë dakord, për të filluar punën. Tani kemi shumë punë të madhe për të vazhduar punën. Ne kemi planifikuar mbi 48 takime në territor me kryetarët e bashkive, të zgjedhurit vendor etj.

Në fazën e dytë të konsultimeve tematike, janë mbi 100 takime. Faza e parë ka pasur një bashkëpunim të mirë. Është e parakohshme për të diskutuar për kufijtë apo hartat, pasi gjëja e parë që duhet diskutuar janë detyrat dhe kompetencat e bashkive.

Hartat territoriale nuk duhet të jenë qëllim në vetvete. Ne na duhet që bashkitë të ofrojnë shërbim social, shërbim strehimi etj. reforma ose duhet bërë para zgjedhjeve të 2027-ës, pasi nëse vonojmë reformën do të duhen pesë vjet për tu realizuar.”