Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të zhvillojë sot vizitë zyrtare në Prishtinë, me një axhendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës.

Spiropali do të pritet fillmisht nga homologu i saj, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca. Takimi nis në orën 10:00.

Më tej, ministrja do të pritet në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, si dhe nga Kryeministri Albin Kurti.

Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjitike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.