Ky dokumentar vjen si një projekt i realizuar në bashkëpunim me emisionin ‘’Opinion’’ dhe Ministria e Kulturës, me synimin për të rikthyer në vëmendje një nga periudhat më të rëndësishme dhe më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare.
Producentja, Helena Halilaj, e sjell këtë rrëfim jo vetëm si një studim historik, por edhe si një kujtesë personale. Ajo ka qenë vetëm 10 vjeç në kohën e luftës, kur shtëpia e saj në Kukës u mbush me shqiptarë të Kosovës që kërkonin strehim dhe siguri. Këto kujtime të hershme u shndërruan në një motiv të fortë për të realizuar këtë dokumentar, me qëllimin për të vlerësuar dhe lartësuar kontributin e familjeve kuksiane gjatë asaj periudhe.
Dokumentari përfshin dëshmi dhe rrëfime nga figura të njohura dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të asaj kohe, si mjekë, gazetarë dhe personalitete publike, ndër të cilët edhe Gjenerali Kudusi Lama dhe ish-kryeministri Pandeli Majko si dhe me mbështetjen profesionale të gazetarit Blendi Fevziu.
Regjia e realizuar me ndjeshmëri dhe mjeshtëri nga Burim Haliti i jep dokumentarit një dimension artistik dhe emocional të veçantë. Gjithashtu, ai pasurohet me materiale filmike të siguruara nga Instituti i Krimeve të Luftës në Kosovë, duke e bërë rrëfimin më autentik dhe më të fuqishëm.
Përmes këtij projekti, synohet të rikthehet vëmendja tek sakrifica, solidariteti dhe humanizmi i treguar gjatë eksodit të vitit 1999, duke e kthyer këtë dokumentar në një dëshmi të gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.




















