Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të hënën se Teherani po shqyrton kërkesën e Presidentit amerikan Donald Trump për rifillimin e negociatave.
Sipas një postimi në rrjetet sociale të ministrit, kërkesa për bisedime vjen në një moment kur, sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur objektivat e tyre në raport me Iranin.
Duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Rusi, Araghchi la të kuptohet se iniciativa për dialog ka ardhur nga Uashingtoni, shkruan Guardian.
Ndërkohë, Trump ka anuluar një vizitë të planifikuar në Islamabad nga të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët pritej të diskutonin për përfundimin e konfliktit. Presidenti amerikan u shpreh se Irani mund të kontaktojë nëse dëshiron të negociojë.
Gjatë një takimi në Shën Petersburg me presidentin rus Vladimir Putin, kryediplomati iranian theksoi se Republika Islamike mbetet “e qëndrueshme dhe e fortë”, pavarësisht tensioneve dhe konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin.
“Bota tani e ka kuptuar fuqinë e vërtetë të Iranit,” deklaroi Araghchi, duke shtuar se situata aktuale ka treguar se vendi i tij është një sistem i konsoliduar dhe i fuqishëm.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Rusisë, duke theksuar se partneriteti strategjik mes Teheranit dhe Moskës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.










