Nga László Bruszt, Project Syndicate
Për 16 vjet, Hungaria e Viktor Orbanit ishte kthyer në simbolin e idesë shqetësuese se “demorkacitë joliberale” mund të jenë të qëndrueshme dhe t’i hedhin rrënjët thellë brenda pushtetit. Duke kombinuar dominimin electoral me dobësimin sistematik të kontrolleve dhe balancave institucionale, dukej sikur Orbani kishte arritur të zgjidhte një nga dilemat qendrore të autoritarizmit bashkëkohor: si të fitosh vazhdimisht në zgjedhje, teksa gërryen demokracinë liberale. Dhe meqenëse modeli i tij frymëzoi admirues kudo në Perëndim (dhe përtej tij), duke ndihmuar në mbajtjen në të këmbë të narrativës së bjerrjes demokratike, mposhtja e tij poshtëruese në zgjedhje mbart implikime që shkojnë shumë më përtej Hungarisë.
Fitorja e partisë Tisza të Peter Magyar, sikundër edhe triumfi i Koalicionit Qytetar kundër partisë jolbierale Koalicioni për Ligj dhe Drejtësi në Poloni më 2023-shin, përfaqëson jo vetëm sprapsjen e një sistemi në dukje të konsoliduar, por sinjalizon gjithashtu edhe se regjime të tilla mund të jenë më të brishta ng asa duken. Mësmi këtu nuk është thjesht që regjimet joliberale mund të humbasin, por se vetë logjika që i mban në këmbë mund të çdojë në zhbërjen e tyre.
Prej kohësh udhëheqësit joliberalë e kanë justifikuar përqendrimin e pushtetit nga ana e tyre duek sjellë në vëmendje sukseset e shteteve zhvillimore të Azisë Lindore. Duke dobësuar kufizimet institucionale, argumentojnë ata, qeveritë mund të veprojnë më me vendosmëri, duke koordinuar investimet dhe arritur rritje ekonomike.
Por kjo analogji ka qenë gjithmonë disi mashtruese. Regjime si ai i Park Chung-Hee në Korenë e Jugut, apo ai i Lee Kuan Yeë në Singapor nuk ishin efiçentë sepse përballeshin me më pak kufizime, por sepse përballeshin me më tepër presion. Pasiguritë gjeopolitike dhe rreziku konstant i trazirave të brendshme i detyruan ata të arrinin rezultate të gjera, ose përndryshe të rrezikonin rënien. Kufizimi i llogaridhënies në këto raste nuk prodhoi vetëkënaqësi, por disiplinë.
Përgjithësisht, efikasiteti i kapaciteteve shtetërore varet nga kufizimet që disiplinojnë ata të cilët janë në pushtet. Kjo mond të marrë trajta të ndryshme. Në demokracitë liberale janë kontrollet dhe balancat kushtetuese që e imponojnë një disiplinë të tillë. Në autokraci zhvillimore, ajo garantohet nga brishtësia e jashtme dhe e brendshme.
Regjimet joliberale bashkëkohore operojnë në rrethana krejt të ndryshme. Në mungesë të presioneve të krahasueshme me ato që u përballën Park dhe Lee, dobësimi i llogaridhënies nuk prodhon kapacitet zhvillimor. Në vend të saj krijon mundësi për “kërkim qiraje.” Pushteti shndërrohet në burim për të ruajtur koalicionet politike dhe jo për të arritur të mira publike. Një strategji që supozohet të forcojë kapacitetet shtetërore, shndërrohet kështu në një sistem shpërndarjeje selektive.
Me kalimin e kohës kjo logjikë gërryen themelet ekonomike të sundimit joliberal. Kur besnikëria politike kthehet në kriterin primar për shpërndarjen e burimeve, efikasiteti dhe inovacioni vuajnë. Prokurimet publike shpërblejnë ata që kanë lidhje me pushtetin dhe jo firmat më productive. Sipërmarrësit vendas përballen me korrupsion, pasiguri dhe mundësi të kufizuara zgjerimi. Njëkohësisht, strategjitë e rritjes të bazuara tek investimet e huaja direkte gjenerojnë punësim, por shpesh nuk arrijnë të kenë rezultate positive të qëndrueshme.
Kjo është ajo çfarë i ndodhi Hungarisë nën pushtetin e Orbanit. Bashkë me dobësimin e performancës ekonomike të vendit, u dobësua edhe aftësia e regjimit për të mbajtur në këmbë koalicionin e vet mbështetës. Rritja më e ngadaltë ngushtoi bazën e taksave dhe reduktoi burimet e lira për rishpërndarje. Investimet në arsim, shëndetësi dhe mobilitet social mbetën në stanjacion. Hungarezët po e përjetonin si sistem mbylljeje atë që iu ishte paraqitur fillimisht si sistem stabiliteti. Segmente të mëdha të forcës punëtore u përballën me mundësi më të pakëta punësimi, rroga të pandryshuara dhe mundësi të kufizuara për avancim.
Në fillim të sundimit të Orbanit, këto dinamika të brendshme u maskuan pjesërisht nga transfertat financiare nga Bashkimi Europian. Por aksesi në këto burime u bë gjithnjë e më i kushtëzuar duke kërkuar transparencë nga qeveria dhe pavarësi të gjyqësorit, pikërisht dy format e llogaridhënies të cilave Orbani iu bëri rezistencë. Rezultat i kësaj ishte një kufizim i vetëimponuar: duke refuzuar mbikëqyrjen nga jashtë, regjimi praktikisht kufizoi aksesin e tij në fonde dhe financim.
Nuk është çudi që, teksa kufizime të tilla erdhën duke u shtuar, Orbani u drejtua nga partner edhe më joliberalë, përfshi këtut Rusinë dhe Kinën, duke shkëmbyer autonominë rregullatore për forma të reja varësie gjeopolitike. Kështu, një projekt që nisi në emër të sovranitetit, rrezikoi të përfundonte në vulnerabilitet edhe më të madh.
Më gjerësisht, Orbani ka treguar se edhe sisteme shumë të kapura mund të ekspozohen politikisht. Vetë mekanizmat që mundësuan sundimin e tij joliberal munden që, me kalimin e kohës, të shndërrohen në burime dobësie.
Modeli i Hungarisë u mbështet në një aleancë të brishtë firmash ndërkombëtare, elitash vendase të lidhura me politikën, dhe votuesish të cilëve iu premtua stabilitet dhe përmirësim. Por, ndërsa rritja ekonomike u ngadalësua, tensionet brenda kësaj aleance erdhën duke u rritur. Bizneset vendase kishin më pak mundësi, ndërsa votuesit u përballën me përkeqësim të kushteve të jetesës dhe bllokim të së ardhmes.
Mposhtja e Orbanit u bë e mundur në momentin kur pakënaqsia takoi organizimin – kur një sfidant i besueshëm bashkoi votuesit e përçarë, duke e kthyer zemërimin e tyre në pjesëmarrje. Aty ku forcat opozitare tradicionale ishin të dobëta apo të diskredituara, kjo kërkoi lidership të aftë për të transformuar zemërimin shoqëror në lëvizje politike me bazë të gjerë, të cilat mobilizuan përtej ndasive klasore dhe institucionale.
Kjo është ajo çfarë Magyar dhe partia e tij Tisza arritën. Për vite me radhë, Hungaria shërbeu si provë se bjerrja demokratike mund të institucionalizohej dhe mbahej gjallë brenda kornizës zgjedhjeve formale. Por fitorja vendimtare e Magyarit tregon diçka po aq të rëndësishme: që sisteme të tilla nuk janë të pakthyeshme.
Megjithatë, mposhtja e Orbanit, ashtu sikurse mposhtja e partisë PiS në Poloni tri vite më parë, nuk shënon fundin e joliberalizmit. Rrethanat strukturore që ushqyen fuqizimin e tij – pasiguria ekonomike, fragmentarizimi i shoqërisë dhe mosbesimi politik – vazhdojnë të ekzistojnë në shumë demokraci. Por rënia e Orbanit sfidon ndjesinë e pashmangshmërisë që shoqëronte largimin e botës nga demokracia liberale.
Tani fillon detyra më e vështirë: zhbërja e sistemeve të rrënjosura thellë të patronazhimit, rivendosja e autonomisë institucionale dhe rindërtimi i kapaciteteve shtetërore, pa riprodhuar dështimet që mundësuan rritjen e joliberalizmit. Magyarit do t’i duhet gjithashtu të ripërcaktojë se si do të ndiqen interesat kombëtare brenda Bashkimit Europain – forcimi i zonave elektorale vendase, ndërkohë që ndërton aleanca transnacionale të afta për të avancuar forma integrimi më të thella dhe më resistente.
Mposhtja e joliberalizmit në kutinë e votimit ishte e vështirë. Por ndërtimi i një demokracie liberale resistente – të aftë për të sjellë llogaridhënie dhe përfshirje – mund të jetë edhe më e vështirë. Megjithatë, një gjë është e sigurtë: demokracitë, si ato aleate ashtu edhe ato armike, do ta vëshgojnë nga afër situatën në Hungari.
László Bruszt është Profesor i Shkencave Politike pranë Central European University dhe ka shërbyer si Rektor dhe President i tij në 1996-97.




















