Nga fjala hapëse në Samitin e IV të Diasporës, kryeministri Edi Rama citoi Ismail Qemalin në momentin që themeloi shtetin shqiptar se “Shqipëria do bëhet”.

Duke folur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama tha se ajo fjali e Ismail Qemalit ishte një besim që kaloi nëpër breza dhe tashmë ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë.

“Atëherë, kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg. Sot e ardhmja europiane është një tryezë, ku jemi të ulur çdo ditë bashkërisht, ballë për ballë, ne dhe Komisioni Europian me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si çdo fjalë e përditshme. Ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues të shtetit tonë: – “Shqipëria do të bëhet”. Në gojën e atit të pavarësisë, ajo fjali nuk ishte një përshkrim, ishte një besim. Një besim që kaloi nëpër breza, përmes peripecish të mëdha, dështimesh tragjike, ringritjesh frymëzuese. Një besim që sot si kurrë ndonjëherë ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tanimë nuk parafytyrohet, por shihet, preket me sy më afër se kurrë për ta ulur Shqipërinë në tryezën e familjes europiane, si të barabartë mes të barabartësh në vitin 2030”.

Rama citoi edhe shkrimtarët e mëdhej Fan Nolin dhe Faik Konicën.

“Fan Noli na kujtonte se Shqipëria nuk mund të rrojë pa shqiptarët e saj dhe sot kur shqiptarët janë sa brenda aq dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria është në të përpjetën e fundit drejt bashkimit të shumë ëndërruar me Europën, kjo fjalë e korifeut të shqiptarisë merr një kuptim dhe një forcë të posaçme. Ashtu siç merr një kuptim dhe një forcë të posaçme edhe paralajmërimi i mprehtë i korifeut tjetër Faik Konicës, i cili na porosit: – “se një komb nuk mund të mbështetet tek iluzionet për veten, por tek aftësia për t’u vetë përmirësuar, vazhdimisht”. Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi më i madh i kësaj dekade, ku edhe falë reformash transformuese dhe përpjekjes intensive integruese me Bashkimin Europian kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte në një Shqipëri që përpiqet të përmirësohet; nga një Shqipëri që kërkonte të pranohej ndërkombëtarisht mes mosbesimit të përgjithshëm, në një Shqipëri që respektohet dhe besohet si kurrë më parë në arenën ndërkombëtare”-tha Rama.

Amaneti i tyre shtoi Rama, e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e përbashkët europiane.

“Të rilidhemi për ta parë Shqipërinë, jo si një vend që diaspora e la pas, por si një vend që po bëhet një shtet europian e që në formësimin e vet ka nevojë për të gjithë, si për shqiptarët brenda si për ata jashtë kufijve të tij. Një ftesë për të qenë pjesë e pikërisht një projekti të madh kombëtar, i cili është më i madh se çdo qeveri, është më i madh se çdo cikël politik është më i madh se çdo brez i vetëm sepse është i madh sa amaneti i gjithë atyre që nga Gjergj Kastrioti te Ismail Qemali e me radhë tek heronjtë, martirët, dëshmorët shqiptarë në të gjitha trojet ku shqiptarët jetuan, jetojnë, lindin fëmijë dhe projektojnë të ardhmen, një amanet që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e përbashkët të asaj familjeje, ku më në fund ne po bëhemi gati të jemi pjesë e pa ndarë. Çka do të thotë në fund të fundit, të jemi pjesë e pandarë e një familje popujsh si popull, e një familje kombesh, si komb sepse një popull dhe një komb nuk është qeveri e tij, por është bartësi i të gjitha amaneteve që e çojnë atë përpara në emër të ardhmes, por pa dyshim edhe për të mos harruar kurrë borxhin ndaj atyre që i dhanë të shkuarës atë kuptim për të cilin ne sot të gjithë ndihemi krenar që të themi “jemi shqiptar’”-përfundoi Rama.