Politika ngjason me profesionin më të vjetër në botë, ku të gjithë mundohen që t’a dredhin sadopak, për të mbijetuar në kohë krizash dhe përfituar në kohë të tjera. Këta politikanët tanë “hanë” edhe ato që kanë gatuar për të tjerat, përtypin ato që kanë thënë dhe ulen atje ku kanë pështyrë. Servilosja dhe lëpirja janë të tjera virtyte të tyre.

Megjithëse jemi një vend i vogël dhe gjithkush ka dijeni se çfarë ndodh në kupolë, për shkak të sistemeve që kanë ngritur partitë politike, sërish ata që na drejtojnë apo na kanë drejtuar, as nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë. Sot shajnë me libër shtëpie kundërshtarin, e akuzojnë për gjysmat e neneve të Kodit Penal apo bëjnë lidhje kriminale për familjarët.

Ndërkohë, nesër i shikon bashkë, në kafenenë e Parlamentit dhe të pasnesërmen bashkëpunojnë për ndryshimin e ligjeve që më së shumti bëhen për palë të treta apo për ata vetë dhe jo për mirëqënien e qytetarëve, ata të cilët i kanë votuar.

Diktatura na mësoi nënshtrimin, klanet apo prerjet e kokave, ndërkohë që tranzicioni po na kalit me durimin, ku ka humbur totalisht “shtylla kurrizore” dhe të gjithë mundohen që të “shtyjnë sa më shumë”. Kolltuku paska qenë i rehatshëm, me benefite vetjake, familjare apo edhe miqësore, me pasuri, punësime e rehati. Qoftë në qeveri, ashtu edhe në opozitë.

Por, kur gëlltit ato që ke “gatuar” për të tjerët, çfarë ndodh? Në Shqipëri asnjë gjë, pasi ndryshimi i qendrimit është bërë diçka “normale”. Rasti më i fundit vjen nga lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili duket se as nuk mban mend ato që thotë e ata që akuzon.

Pak javë më parë e pamë dhe dëgjuam sesi arsyetonte me fjalitë jo të rrjedhshme se po arrestoheshin njerëzit pa prova e fakte. Ndërkohë, ditët e fundit, dëgjuam fjalimin se kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, do të lirojë nga burgu kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.

“Nesër Sadushi, që kërcënon absolutisht sigurinë e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, del me vendimin që ata që janë në paraburgim pa vendim të prerë, të dalin.

Ky është vendimi Veliaj. Por nga vendimi Veliaj përfitojnë me dhjetëra bosë të drogës, krerë të organizatave kriminale”, tha ndër të tjera Berisha.

Po nga ky vendimi “Veliaj” a përfiton bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ilir Meta?! Natyrisht, me këtë fjalim Berisha kërkon që Veliaj të qëndrojë në burg, por indirekt lë në qeli edhe Ilir Metën. A e mban mend se çfarë deklaroi para disa muajsh? Kjo retorikë e tij vjen në kohët që SPAK-u godet edhe eksponentë apo ish-drejtues të shtetit nga radhët e Partisë Demokratike.

Pak javë më parë, vetë Berisha mbështeste idenë se në të gjithë Europën sistemi penal funksionon me hetime në gjendje të lirë, ndërkohë që në momentin që ka akuzë, atëherë jepen edhe masat shtrënguese. Pikërisht këtë do të bëjë edhe Sadushi, “kërkesën” e Berishës. Por, përsa kohë që bëhet fjalë për kundërshtarët, qëndrimi ndryshon.

Tani, cilin version është i sakti? Do Veliajn dhe Metën në burg, apo ish-Presidentin në liri dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës në burg?!/ Editorial i shkruar nga VoxNews