Ujërat termale të Bënjës janë shndërruar vitet e fundit në një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit natyror dhe kurativ në jug të Shqipërisë, duke tërhequr një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj.

Të vendosura pranë Kanionit të Langaricës, këto burime termale ofrojnë një përvojë unike relaksi, falë ujërave të pasura me minerale që njihen për efektet e tyre kurative.

Ndërkohë një tjetër atraksion turistik në zonë është edhe Ura e Kadiut, Monument Kulture i Kategorisë I, që pozicionohet në harmonizim të bukur me ambientin përreth dhe vaskat e ujërave termale.

Megjithëse ende në proces, investimet e fundit në infrastrukturë po rrisin ndjeshëm aksesin dhe interesin për këtë zonë, duke e kthyer në një pikë referimi për turizmin e qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, interesi në rritje i turistëve të huaj është një sinjal i qartë i potencialit zhvillimor të turizmit kurativ, ende i pa eksploruar sa duhet në vendin tonë.

Ata vlerësojnë natyrën e paprekur dhe burimet kurative të Bënjës, ndërsa e përshkruajnë Shqipërinë si një destinacion që surprizon pozitivisht në çdo hap.

ATSH bisedoi me disa turistë nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca, të cilët vlerësojnë jo vetëm bukurinë natyrore, por edhe mikpritjen që kanë ndeshur gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri.

Itineraret e tyre shpesh përfshijnë qytete kyçe si Tirana, Pogradeci, Korça, Gjirokastra dhe Berati, duke përfshirë edhe ujërat termale të Bënjës si një ndalesë e veçantë për relaks dhe eksplorim të natyrës.

Dy turiste nga Anglia, pjesë e një grupi të madh turistësh të huaj që vizituan këtë fundjavë Banjat e Bënjës pranë Përmetit, shprehen për ATSH-në se kanë mbetur të mahnitura nga përvoja në vendin tonë.

“Kemi vizituar edhe Tiranën, që ishte shumë e bukur. E gjithë Shqipëria është shumë mbresëlënëse. Gjithçka që shikojmë këtu është e mrekullueshme. Vendi duket se po përparon shumë mirë. Gjithçka shikojmë këtu është e mrekullueshme. Shqipëria është e bukur. Kemi bërë gjithë atë rrugë për të ardhur deri këtu, por mund t’ju themi që na ka pëlqyer shumë. Të dyja kemi ardhur nga Anglia”, u shprehën ato.

Një tjetër turist nga Karolina e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë, tregon se udhëtimi i tij ka përfshirë disa nga destinacionet kryesore si Pogradeci dhe Korça, ndërsa ndalesa në Bënjë ishte një nga përvojat më të veçanta.

“Unë jam nga Shtetet e Bashkuara, nga Kartolina e Veriut që ndodhet në pjesën juglindore të SHBA-së. Më përpara, kam udhëtuar në pjesë të tjera të Evropës. Por, kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Deri tani kemi vizituar Tiranën dhe Pogradecin si dhe Korҁën. Tani vendosëm të bëjmë një ndalesë te Ujërat Termale. Dhe ja ku jemi. Mezi pres të vazhdoj pjesën e mbetur të udhëtimit”, u shpreh ai.

Ndërkohë, një grup turistësh francez që kanë eksploruar qytete historike si Gjirokastra dhe Berati, e konsiderojnë vendin si një destinacion që ia vlen të vizitohet, ndërsa vlerësojnë natyrën e paprekur dhe mikpritjen.

“Kemi ardhur me një grup miqsh dhe po zbulojmë Shqipërinë. Mbërritëm në Tiranë para dy ditësh, morëm një makinë dhe kemi nisur të vizitojmë qytetet kryesore të vendit. Pa dyshim, është një destinacion që ia vlen të vizitohet, edhe duke u nisur nga ajo që kemi parë në rrjetet sociale. Kemi vizituar Gjirokastrën, Beratin dhe në vazhdim do të eksplorojmë edhe qytete të tjera, si dhe bregdetin, Rivierën shqiptare natyrisht. Ujërat termale gjithashtu ishin vërtet të mrekullueshme. Megjithatë, po e shijojmë shumë këtë eksperiencë në Shqipëri”, u shprehën ata.

Një tjetër turist nga Franca vlerësoi se vendi është shumë i bukur, ka shumë për të parë dhe kultura është shumë e pasur.

“Jam me pushime në Shqipëri për rreth 11 ditë. Gjeta shumë informacione në internet rreth banjave termale të këtij lloji, veçanërisht rreth banjave aty poshtë, pranë nesh. Mendoj se vendi është shumë mirë i përgatitur për turizëm tani, por i duhet edhe pak më shumë informacion për të gjithë turistët. Kjo do të ndihmonte në rritjen e numrit të vizitorëve dhe në zhvillimin e një infrastrukture më të përshtatshme për këto terrene”, u shpreh ai.

Kombinimi i natyrës spektakolare me burimet shëruese të ujërave termale po i konsolidojnë Banjat e Bënjës si destinacion i rëndësishëm në hartën turistike të Shqipërisë, duke i bërë po ashtu pjesë të një oferte më të plotë turistike bashkë me Përmetin dhe Gjirokastrës.

Ndërkohë, zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës dhe menaxhimi i qëndrueshëm i mjedisit konsiderohen thelbësore për ta shndërruar këtë zonë në një model të suksesshëm të turizmit natyror në rajon.