Një hetim i ri i Europol ka identifikuar 731 rrjete të krimit të organizuar që veprojnë në Evropë, me mbi 400 mijë anëtarë nga 118 kombësi të ndryshme, duke dëshmuar për shtrirjen dhe kompleksitetin e grupeve kriminale në kontinent.

Sipas raportit të publikuar sot, shumica e këtyre organizatave veprojnë përtej kufijve shtetërorë dhe në mënyrë shumë profesionale.

Rreth 85% e rrjeteve përdorin biznese të ligjshme si mbulesë për aktivitetet e tyre kriminale, duke fshehur operacionet pas strukturave ekonomike të rregullta.

Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, tha gjatë prezantimit të raportit në Bruksel se këto organizata nuk janë më banda të zakonshme rrugësh, por funksionojnë si “korporata të krimit”, me organizim dhe burime të konsiderueshme.

Raporti tregon se rrjetet kriminale janë të përfshira në një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë trafikun e drogës, krimin kibernetik, kontrabandën e emigrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore, mashtrimet financiare dhe pastrimin e parave.

Ato përfitojnë gjithashtu nga zhvillimet teknologjike, tregtia globale dhe paqëndrueshmëria gjeopolitike për të zgjeruar aktivitetin e tyre.