Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zgjodhi të kalojë 1 Qershorin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për gratë në Pojskë, ku fëmijët e disa prej të dënuarave u bashkuan me nënat e tyre për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se drejtësia duhet të shfaqet jo vetëm përmes ndëshkimit, por edhe përmes rehabilitimit dhe rikthimit të dinjitetit njerëzor.

“Kam zgjedhur sot 1 Qershorin që të jem këtu, sepse besoj fort se drejtësia duhet të jetë e pranishme jo vetëm përmes ndëshkimit dhe dënimit, por edhe përmes rehabilitimit. Për dashurinë mëmësore, për familjen, nuk ka ndarje dhe nuk ka mure”, u shpreh Gogu.

Ministri vlerësoi punën e stafit të institucionit dhe organizatave partnere që kanë mundësuar ruajtjen e lidhjeve mes nënave dhe fëmijëve të tyre gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, duke nënvizuar se kontakti mes tyre nuk duhet parë si privilegj, por si një e drejtë themelore.

“Fëmijët nuk i zgjedhin rrethanat. Detyra jonë është që, pavarësisht se shteti është i pranishëm përmes dënimit të nënave, fëmijët të mos e ndjejnë këtë barrë. Qëllimi ynë është që kur këto gra të kthehen në familjet e tyre, të rikthehen me dinjitet dhe me një rol të ri në jetën e përditshme”, tha ai.

Gogu shfrytëzoi rastin për të informuar të dënuarat edhe mbi ecurinë e projektligjit për amnistinë penale, i cili tashmë ndodhet në Kuvend.

“Shumë shpejt projektligji për amnistinë do të nisë diskutimin parlamentar dhe besoj se do të bëhet realitet në javët në vijim. Këto dy lajme lidhen me njëra-tjetrën, sepse drejtësia duhet t’i ketë të dyja fytyrat e saj: edhe atë që ndëshkon, edhe atë që rehabiliton dhe rikthen dinjitetin”, deklaroi ministri.
Vizita në Pojskë u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Ministrisë së Drejtësisë për 1 Qershorin, me fokus te mbështetja e lidhjeve familjare dhe promovimi i qasjes rehabilituese në sistemin penitenciar.