Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) ka paralajmëruar sot se ekziston një “shans prej 80%” që një ngjarje El Niño të zhvillohet midis muajve qershor dhe gusht, duke rritur ndjeshëm rrezikun e ngjarjeve ekstreme të motit në muajt në vijim në mbarë botën.
Sipas përditësimit më të fundit të agjencisë së Kombeve të Bashkuara, temperaturat “jashtëzakonisht të ngrohta” në Oqeanin Paqësor tropikal po favorizojnë formimin e fenomenit El Niño, i cili pritet të ndikojë si temperaturat globale, ashtu edhe regjimin e reshjeve në shumë rajone të botës.
OBM vlerëson se ekziston gjithashtu një probabilitet prej rreth 80% që kjo ngjarje të zhvillohet pikërisht gjatë periudhës qershor–gusht 2026, ndërsa shton se ka “afër ose mbi 90% shanse” që fenomeni të zgjasë të paktën deri në nëntor. Sipas organizatës, në rast se ndodh, El Niño pritet të jetë “të paktën i moderuar, nëse jo i fortë”.
El Niño dhe fenomeni i kundërt i tij, La Niña, janë pjesë e një cikli natyror klimatik që lidhet me ndryshimet në temperaturën e sipërfaqes së Oqeanit Paqësor ekuatorial dhe që ndikon në qarkullimin atmosferik global, duke shkaktuar shpesh ngjarje ekstreme të motit.
“Duhet të përgatitemi për një El Niño potencialisht të fortë, i cili do të përkeqësojë thatësirën dhe reshjet e dendura dhe do të rrisë rrezikun e valëve të të nxehtit si në tokë ashtu edhe në oqeane”, paralajmëroi Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo.
Sipas saj, El Niño karakterizohet nga rritja e temperaturave sipërfaqësore në pjesët qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial dhe zakonisht ndodh çdo dy deri në shtatë vjet, me një kohëzgjatje prej rreth nëntë deri në 12 muaj. El Niño i fundit në vitet 2023–2024 kontribuoi në regjistrimin e dy viteve më të ngrohta ndonjëherë.
OBM paralajmëron se për periudhën qershor–gusht pritet një dominim i temperaturave mbi normalen në pothuajse të gjitha rajonet e globit, me rritje të rrezikut të stresit nga nxehtësia, thatësirave në disa zona dhe ngjarjeve ekstreme si përmbytjet apo thatësirat e rënda.
Në parashikimet rajonale, agjencia thekson se në Bririn e Afrikës pritet reshje nën mesataren gjatë sezonit të shirave, në Azinë Jugore priten musone më të dobëta se normalja, ndërsa në Amerikën Qendrore parashikohen temperatura më të larta gjatë verës. Në të njëjtën kohë, ujërat më të ngrohta në Paqësor mund të favorizojnë formimin e uraganeve në pjesët qendrore dhe lindore të tij, ndërsa të kufizojnë aktivitetin në Atlantik.
“Ne të gjithë duhet të pranojmë shkallën e emergjencës klimatike që përfaqëson kjo situatë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, duke theksuar se kushtet e El Niño-s “do t’i hedhin benzinë zjarrit të një planeti që po ngrohet”.
Ai bëri thirrje për veprime urgjente kundër ndryshimeve klimatike dhe për uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile, duke paralajmëruar se ndikimet e këtij fenomeni mund të ndihen në shkallë globale dhe me intensitet të lartë.
OBM, nga ana e saj, thekson se nuk ka prova që ndryshimi i klimës po rrit frekuencën e El Niño-s, por pranon se fenomenet natyrore si El Niño dhe La Niña po ndodhin në një kontekst më të gjerë të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.










