Një zjarr masiv pyjor që shpërtheu të enjten rreth 100 kilometra në veri të Madridit është zgjeruar ndjeshëm, duke djegur më shumë se 120 mijë hektarë tokë dhe duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, njoftuan autoritetet lokale spanjolle.

Zjarri po përhapet në rajonin e Guadalajarës, kryesisht në parkun natyror Sierra Norte, dhe deri më tani nuk ka shkaktuar viktima. Megjithatë, autoritetet e kanë cilësuar situatën si “të vështirë” për shkak të përmasave të flakëve dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.

Presidenti i rajonit të Kastiljes-La Mançës, Emiliano García-Page, si dhe autoritetet lokale kanë bërë të ditur përmes platformës X se operacionet për vënien nën kontroll të zjarrit vijojnë. Në terren janë angazhuar rreth 350 zjarrfikës dhe ushtarë të Njësisë Ushtarake të Emergjencave (UME), të mbështetur nga 25 mjete ajrore, përfshirë avionë dhe helikopterë zjarrfikës, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zona e prekur është një rajon pyjor dhe malor me rëndësi të madhe ekologjike, ku jetojnë specie të rrezikuara, përfshirë shqiponja, ujq dhe lloje të ndryshme fluturash. Ky zjarr i shtohet një tjetër vatre të madhe zjarri në afërsi të Zaragozës, në verilindje të Spanjës, e cila sipas autoriteteve të Aragonës ka djegur rreth 160 mijë hektarë tokë dhe ende “është larg stabilizimit”.

Edhe nga ky zjarr nuk janë raportuar viktima ndersa deri me tani keto dy zjarre kane djegur rreth 280 mije hektare siperfaqe te pyllezuar.

Spanja është përballur së fundmi me një nga zjarret më vdekjeprurëse të historisë së saj të afërt. Një zjarr i madh në Andaluzi, i nisur më 9 korrik, shkaktoi vdekjen e 13 personave dhe dogji rreth 70 mijë hektarë tokë.