Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër situatën aktuale institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e bllokon funksionimin e Kuvendit dhe po e mban Kosovën në krizë politike.

Haradinaj tha se ditët po kalojnë ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, duke e cilësuar këtë si “djegie të mandatit” të deputetëve të zgjedhur.

“Ditët po kalojnë, seanca, Kuvendi është inekzistent. E vërtetë që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, djegie e mundësisë dhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit”, tha ai.

Sipas tij, mos-thirrja e seancës me arsyetimin se mungesa e një marrëveshjeje mund të shkaktojë tensione apo dhunë në Kuvend është vetëm një arsyetim.

Ai ka propozuar një zgjidhje që lidhet drejtpërdrejt me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se vazhdimi i mandatit të tij do të ishte një mundësi për të shmangur mbajtjen peng të vendit.

“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, u shpreh ai.