Mbledhja e kryesisë së PD është shoqëruar me debate të forta.Burimet bëjnë te ditur se anëtari i kryesisë Ervin Salianji ka kërkuar dorëheqjen e sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka.
“Jep dorëheqjen Flamur, e pafalshme gabimi me Avokatin e Popullit dhe shkatërrimi i partisë, dil tako demokratët nëse i takon dot”, mësohet të këtë thënë Salianji.
Ai e akuzoi Nokën për shkatërrimin e partisë, teksa tha se “sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrezuar Ramën, e paskeni me ne”.
Burimet bëjnë të ditur se përgjigja për Salianjin ka qenë për ta bërë analizën brenda strukturave të partisë dhe “të mos dalë anash”.
Gjatë pjesës së hapur të mbledhjes së Kryesisë, Berisha foli pa emra edhe për zjarrfikës të protestave të opozitës.
“Duhet të flasin qytetarët me protestën e tyre. Sa janë ata që duan të flasin me protestën e tyre? 1 mijë? Ne në krye. 2 mijë? Ne në krye. 300? Ne aty. Por rrugë tjetër nuk ka. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Duhet t’i shohim gjërat siç është. Ne nuk bëhemi kurrë zjarrfikës”, deklaroi Berisha.




















