Nga Dritan Hila
Thuhet se në përgjimet që ka SPAK, ka komunikime të zv/kryeministres dhe rrjedhimisht kryeministrit.
Ky është një skandal i pashembullt. Abstragojmë se kush është Belinda Balluku apo Edi Rama. Por rënia në dorë të njerëzve të tjerë të komunikimeve mes dy njerëzve më të rëndësishëm të shtetit, është e pashembullt.
Komunikimi në telefona të hapur të anëtarëve të qeverisë, ushtrisë dhe shërbimeve inteligjente duhet të marrë fund.
Nëse ka ndodhur, është pakujdesi e rëndë e dy drejtuesve të shtetit që komunikojnë me telefona të pakriptuar por në rrjetin e hapur. D.m.th ky komunikim minimalisht bie në dorë të operatorëve që nuk kanë certifikate sigurie.
Por fshehtësia e komunikimit ka lidhje edhe me sigurinë kombëtare. Një shef i votuar politikisht dhe drejtues apo anëtar qeverie, me telefon jep urdhra të cilat kanë lidhje me arsyet shtetërore. Këto nuk kanë pse dëgjohen nga veshë të papërshtatshëm dhe nuk janë gjellë qensh për publikun. Një shtet ka vitrinën dhe halën e tij. Por halenë nuk mund ta vizitojë gjithkush.
Një shtet serioz bën tenderë sekret për nevojat e ushtrisë apo shërbimeve inteligjente, ka fonde të fshehta për veprimtari subversive dhe qindra sekrete te tjera. E di që këtij shteti ka 40 e kusur vjet që i kanë rënë brekët, por nëse duam të bëjmë shtet serioz, kjo është alfa. Këto biseda dhe komunikime nuk mund të bien pre e përgjimeve nga çdo prokuror, kushdo qoftë ai. Publikimi i tyre është skandaloz.
Po, një kryeministër, për nevoja politike apo të aleancave mund ta orientojë një tender, por kjo nuk mund të bëhet pre e hetimit. P.sh nëse një tender sensitiv, siç ishte ai i rrjetit 5G e fiton një kompani kineze, kryeministri ndërhyn dhe e devijon fituesin.
SPAK mund të hetojë në bazë dokumentesh për tenderë të hapura, por jo mbi përgjime telefonash, ku ka biseda të cilat shpesh nuk kanë lidhje apo janë jashtë kontekstit. Praktika e përgjimeve e zyrtarëve të lartë duhet të marre fund. Mund të përgjohen trafikantët dhe kriminelët por jo zyrtarët. Shkeljet e ligjit mund të faktohen nëpërmjet letrave, jo nëpërmjet bisedave.
SPAK mund të hetojë krimin ekonomik, por nuk mund të shthurë shtetin./dritare.net




















