Radhë të gjata në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës në të dyja senset e lëvizjes. Radhët me 2 dhe 3 korsi në pritje janë edhe në dalje në drejtim të Maqedonisë së Veriut si edhe në hyrje për Shqipëri. Radhë të cilat sipas policisë kufitare vijnë për shkak të fundjavës por edhe lëvizjeve të shqiptarëve të Maqedonisë drejt Shqipërisë, përcjell A2 CNN.
Në të dyja pikat e kalimit kufitar po punohet me 3 sportele hyrje dalje por fluksi i mjeteve është i lartë ndaj për këtë radha që krijohet është e gjatë, e pakta do të duhet të presësh të paktën 40 minuta për të hyrë apo dalë nga Shqipëria.
Në numër të lartë janë edhe banorë të zonave pranë doganës si Pogradec e Përrenjas të cilët futen për të bërë blerje për festat e fundvitit pasi çmimet në Maqedoninë e Veriut janë më të lira se në marketet tona.
Gjithmonë sipas Policisë Kufitare, ky fluks deri në ndërrimin e viteve pritet të shtohet edhe më shumë, gjatë gjithë orëve të ditës. Kjo jo vetëm për shkak të lëvizjes së banorëve, por edhe të ardhjes së emigrantëve nga Greqia, të cilët shmangin Kapshticën për të përdorur Qafë Thanën.




















