Mbi 19 mijë qytetarë të Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike në vende të ndryshme të botës po votojnë këtë të shtunë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që mbahen nesër në Kosovë.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në vend këtë vit dhe të katërtat në total, pasi vendi u përball me një krizë kushtetuese për shkak se asnjëra prej partive politike nuk arriti dot shumicën e nevojshme për të qeverisur vendin.

Janë 40 qendra votimi në 18 shtete, të cilat janë hapur që prej orës 7 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 19:00. Përveç votimit në selitë diplomatike, për diasporën ka edhe një tjetër opsion, ai i votimit me postë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për votimin me postë janë regjistruar mbi 77 mijë qytetarë.Pas votimit të diasporës këtë të shtunë, qendrat e votimit do të hapen të dielën për qytetarë me të drejtë vote brenda Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka zbuluar se për parlamentaret e vitit 2025 të drejtë vote kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë.

Prej rreth një viti Kosova ka mbetur pa qeveri, pasi në zgjedhjet parlamentare të shkurtit Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk arriti dot të formonte shumicën qeverisëse, ndonëse doli forcë e parë duke marrë mbi 40% të votave. Asnjëra prej partive opozitare nuk pranoi të formonte koalicion me Kryeministrin në detyrë të Kosovës, i cili ka izoluar vendin ndërkombëtarisht, por ka thelluar gjithashtu edhe krizën politike brenda saj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se në këto zgjedhje janë certifikuar në garë 22 subjekte politike, ku mes tyre janë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë për parlamentin e ri me 120 vende do të vendosin të ardhmen politike dhe zhvillimin e vendit, por gjithashtu do të jenë zgjedhjet të cilat pritet të reflektojnë ndryshime në peizazhin politik, prioritetet e qytetarëve dhe drejtimin që Kosova do të marrë për 4 vitet e ardhshme.