Paramilitari serb Zheljko Razhnatoviç, i njohur si Arkan, u vra me armë zjarri në hollin e Hotel Intercontinental në Beograd. Sipas hetimeve, ai u qëllua sapo doli nga ashensori, kur autorët hapën zjarr duke lënë të vdekur Arkanin dhe dy truprojat e tij; vdekja u konfirmua në vend pas plagëve të rënda në kokë.

Arkan ishte një nga figurat më të frikshme të luftërave jugosllave të viteve ’90, komandant i njësisë paramilitare “Tigrat e Arkanit”, e akuzuar për krime të rënda lufte në Kroaci dhe Bosnjë. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar e konsideronte kriminel lufte, në Serbi një pjesë e shoqërisë e trajtonte si hero, pavarësisht akuzave të shumta që ai i mohonte.

Frika që emri i tij ngjallte ishte e njohur edhe në politikën e lartë: ish-diplomati amerikan Richard Holbrooke ka rrëfyer se gjatë Dejtonit, presidenti serb Slobodan Millosheviç kishte thënë për Arkanin: “Kam frikë prej tij.” Pas luftës, Razhnatoviç u rikthye në biznes dhe sport, duke blerë klubin e futbollit Obiliç dhe duke u përfshirë në polemika të reja.

Vrasja e Arkanit shënoi fundin e një figure që për shumëkënd ishte simbol i dhunës dhe krimeve të Ballkanit të viteve ’90, duke lënë pas një trashëgimi të errët të lidhur me varre masive dhe frikë kolektive.