Përplasja me Ervin Salianjin duket se është në krye të agjendës politike për kreun e PD, Sali Berisha, i cili nuk kurseu akuzat ndaj tij edhe në daljen e sotme. Në bashkëbisedimin online me qytetarët, Berisha tha se Salianji mbron interesa private dhe këtë e ka faktuar me dokumenta.

Kreu i PD nuk harroi të i përsërisë ish-deputetit të PD nenin 24 të statutit, që sipas tij justifikon përjashtimin e Salianjit. Ndonëse statuti përcakton që për marrjen e një vendimi të tillë duhet të mblidhen forumet përkatëse, përfshirë edhe kryesinë e degës.

“Salianjit t’i përgjigjeni një njeriu që ka përjashtuar veten nga Partia Demokratike. Ndaj ju garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumenta. I është thënë edhe anëtarësisë se ky zotëri ka përjashtuar veten nga Partia Demokratike. Kemi një nen, neni 24 i statutit; kur kapesh në shkelje flagrante të tij dhe të detyrojnë pastaj të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja. S’ka asnjë lidhje me PD”, tha Berisha.

Kryedemokrati foli edhe për qëndrimet e opozitës lidhur me reformat zgjedhore dhe territoriale. Berisha tha se thirrjet e kryeministrit Rama për bashkëpunim në këto dy reforma janë një iluzion, pasi sipas tij kryeministri nuk pranon asgjë që i kërcënon pushtetin e tij.