Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi sot një kontroll të gjerë për sende të ndaluara në burgun e Peqinit.

Kontrolli u ushtrua nga forcat operacionale dhe speciale të DPB, të mbështetura nga forcat e sigurisë së IEVP-ve Fier, Vlorë, Korçë, Berat, Rrogozhinë, Elbasan, Jordan Misja, Shkodër, Burrel, Fushë-Krujë dhe Durrës.

Sipas DPB-së, gjatë operacionit u përdorën mjete të avancuara si detektorë specialë, dronë monitorimi, qen antidrogë dhe skanerë.

Kontrolli përfshiu të gjitha ambientet: sektorët e banimit, godinat e takimeve dhe të punës, bibliotekën, palestrën, ambientet e observimit, regjimin “41-bis”, ambientet e ajrimit, godinat përreth dhe brezin e butë të sigurisë.

Gjatë kontrollit u konstatuan dhe sekuestruan sende të ndaluara, përfshirë sende të improvizuara prerëse, kabuj, materiale të tjera të palejuara dhe qarqe të modifikuara elektrike. Në një rast u evidentua një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur edhe transferimi i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët paraqisnin rrezik për sigurinë.

Aksioni u zhvillua nën drejtimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi, dhe drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me këtë rast shprehu angazhimin për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare.