U nënshkrua sot Memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe Marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Kakaraçi, ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, si dhe e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn.
Siguria energjetike është në qendër të politikave të Qeverisë Shqiptare për të siguruar stabilitet dhe qëndrueshmëri. Forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në për të ndërtuar një sistem energjetik të diversifikuar dhe të besueshëm mbetet një prioritet.
Projekti Vlora Energy Hub, përfshin modernizimin e TEC-it të Vlorës, ndërtimin e kapaciteteve të reja, krijimin e infrastrukturës për LNG dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të gazit. Ky projekt synon të rrisë prodhimin, të forcojë pavarësinë energjetike dhe të pozicionojë Shqipërinë si nyje energjetike rajonale. Një element kyç është sigurimi afatgjatë i furnizimit me LNG nga SHBA, duke filluar nga viti 2030.
Shqipëria eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030 mbetet një ndër objektivat më të rëndësishëm për Qeverinë Shqiptare.










